MENU
klinika

Dy shënime për këngëtaren

“Pagarusha, diva e oborrit jugosllav”, muzika e saj bukolike?

10.02.2020 - 09:37

 

Erl Kodra: Replikë me Shqiptar Osekun//

Nexhmije Pagarusha (7 maj 1933 – 7 shkurt 2020)

Nuk e mbaj mend se kur e kam dëgjuar për herë të parë zërin e Nexhmije Pagarushës. Me gjasë, ka ndodhë në ndonjë mbrëmje vere, në oborrin e kullës prej guri, duke dëgjue në valë të shkurtëra; sepse në shtëpinë tonë Radio Prishtina dëgjohej rregullisht. Unë jam mëkue me muzikën që vinte prej përtej klonit me gjemba, që shtrihej vetëm disa kilometra larg shtëpisë tonë. “Muzika dhe Poezia” më ka mësue të kuptoj se çka është Kosova, se kush është Gjakova, Prizreni, Peja dhe Prishtina. Nga kjo pikëpamje, mund të them se unë jam një shqiptar i Kosovës.

Sot lexova dy shënime të Shqiptar Osekut për këngëtaren Nexhmije Pagarusha, si një reagim pas lajmit se artisja u nda nga jeta.

Në të vërtetë unë nuk do të shkruaja asnjë fjalë, nëse, ta zëmë se Shqiptari do të shkruante vetëm se “Gjitha këngët e Nexhmies mund të ndahen në tri lloje: këngë bukolike për bukuritë e natyrës dhe fshatit, të cilat përkthehen edhe serbisht dhe ekotizojnë shqiptarët; idila historike ku mjerimi i të kaluarës me rruspë e kuti duhani kontrastohet te dëgjuesi shqiptar me progresin e Jugosllavisë socialiste; si dhe melodrama sentimentale ku qahet një ndarje dashurore” (cit. Shqiptar Oseku).

Tek e fundit, një përcaktim i tillë për artisten Nexhmije Pagarusha, më së paku është i pasaktë, në të gjitha kuptimet. Në të vërtetë, për të përkufizuar profesionalisht vlerat e saj si artiste, deomos duhet të shkruajn kritikët e muzikës. Unë nuk mund të marr përsipër një rol të tillë, sepse nuk jam muzikolog, por mundem të shkruaj për aspekte të tjera të qasjes së Shqiptar Osekut kundrejt “Nexhmie Pagarushës si “Madonna” e kulturës në Gegërinë veriore është një rast par excellence dhe shumë interesant se si punon industria shqiptare e miteve” (cit. Shqiptar Oseku).

Logjika me të cilën operon Shqiptar Oseku është e pasaktë, e padrejtë dhe me defekte serioze. Dhe këtë e shkruaj me bindje, duke mos i hyrë fare analizës për vlerat e Pagarushës si artise e madhe (sipas mendimit tim ajo është artistja më e madhe shqiptare e të gjitha kohërave).

Arsyet janë elementare.

Imagjinoni për një moment sikur në Kosovë të mos ekzistonte Nexhmije Pagarusha, Esat Bicurri, Qamili Vogël, Ismet Peja, Ismet Bogujevci, Mazllum Mezini, Luan Hajro, Bajrush Doda, Shaban Gjekaj, Liljana Qavolli, Rizah Bllaca e dhjetra qindra këngëtar të muzikës popullore dhe muzikës së kultivuar. Merreni me mend se çka do të ishte Kosova pa këtë mëkim shpirtëror të shqiptarve të Kosovës. Në një rast të tillë, Kosova do të ishte një shkretëtirë e madhe.

Ka diçka serioze që Oseku e anashkalon me një lehtësi të papërballueshme; Në të vërtetë, sot Kosova ekziston në këtë realitet që është, vetëm në sajë të kulturës kombëtare; ku muzika zë një peshë të konsiderueshme në konstrukturimin shpirtëror të një kombi. Kjo do të thotë se muzika, letërsia, arti në përgjithësi, krahas arsimit, luajn rol të dorës së parë për mbijetesën e një kombi. Rasti i Kosovës e provon pa ekuivok këtë pohim.

Vetëm pas themelimi i Universitetit të Prishtinës mund të flitet me siguri se çështja e Kosovës do të hynte në rrugën e lirisë. Një popull i paarsimuar, nuk mund të kuptojë se çka i mungon. Kultura, arti, letërsia dhe muzika janë tharmi që mban gjallë materien e një kombi. Një komb pa vlera kulturore është i destinuar të shuhet. Në këtë kuptim, arti i Nexhmije Pagarushës dhe i shumë artistëve të tjerë nga Kosova, jo vetëm që mbajti gjallë kulturën autentike shqiptare, por e pasuroi atë me vlera të një niveli të papërsëritshëm.

Kundërtheniet e Osekut janë të shumta. Mes të tjerash, Shqiptari thotë dhe ngre dyshime nëse Pagarusha ishte artiste e madhe. Dhe thotë se “realiteti i Nexhmie Pagarushës është se nuk është e sigurt se ajo qe individ i suksesshëm. Varet natyrisht nga përkufizimi i suksesit: nëse quajm sukses pse këndoi për herë të parë si artiste e një grupi etnik të diskriminuar në disa skena më të njohura, e se mori disa shpërblime, atëherë ishte e suksesshme. Por nëse sukses tek artisti quajm realizimin e plotë të talentit, ceshtja hapet për debat. Artistet bëhen vërtet të mëdhenj kur talenti i tyre kap damarin e epokes së vet, duke i dhënë atij një ngjyrim personal. Artistë kulmor kanë arritur, me raste, edhe të ndryshojnë rrjedhat e aortave të kohës”.

Po Shqiptar, ke të drejtë në fakt. Pagarusha nuk arriti të “ndryshojë rrjedhat e aortave të kohës”, por megjithatë arriti, të ngrejë në nivele sipërore muzikën shqiptare, artin dhe kulturën, me zërin më të rrallë në botë. Talenti i saj i papërsëritshëm dhe bukuria e saj ishin dëshmia e kohës se shqiptarët e Kosovës janë një gjen i fortë, i jashtëzakonshëm, dhe që me siguri do t’i mbijetojë sfidave të historisë.

Oseku ngre një lloj pretendimi për këngëtaren Pagarusha, njësoj siç mund të ngrihet për shkrimtarët, gazetarët dhe politikanët. Në fakt gabon rëndë, sepse është tjetër gjë një këngëtare, dhe krejt tjetër gjë një shkrimtar, poet, gazetar ose politikan. Kosova nuk mbeti nën Jugosllavi prej Pagarushës, as prej këngëtarëve të tjerë, as prej “luajalistëve” siç i quan Shqiptari.

Kosova mbeti nën Jugosllavi sepse Enver Hoxha dhe Tito ranë dakort të mos e prishin terezinë, edhe pse gjysma e kombit shqiptar mbeti nën hyqmin e një shteti të huaj. Fundja, Tito pse duhet ta kishte problem këtë punë, kur vet Enveri e pranoi pa kushte humbjen e Kosovës?

Kosova mbeti nën Jugosllavi, sepse Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha e “bekuan” që në lindje Partinë Koministe Shqiptare.

Kosova mbeti e tillë, sepse Enver Hoxha kishte marrëveshje me UDB-në, dhe i kthente mbrapsht të gjithë të ikurit nga regjimi serb. Me mijëra shqiptar të Kosovës u janë kthyer autoriteteve serbe nga Sigurimi i Shtetit; ndërkohë, po ashtu, me mijëra shqiptar të Shqipërisë, të ikur nga terrori komunist i Enverit, janë kthyer në ferrin shqiptar.

Kosova mbeti nën Jugosllavi sepse Fadil Hoxha e dhjetra komunist të tjerë, shqiptarë të Kosovës e bënë kompromisin e madh me Titon. I fundit ishte Rrahman Morina.

Por të rikthehemi te Nexhmije Pagarusha. Kësaj here si artiste, megjithse unë nuk mund të shkruaj si profesionit për muzikën e saj, gjithsesi, unë mund të shkruaj si një autor për artin e saj.

Shqiptar Oseku thotë se “Baresha” është një këngë bukolike.

Në të vërtetë “Baresha” është një overturë, është një arie, një ndër hitet më të jashtëzakonshme që mund të jetë kënduar ndonjëherë, jo vetëm në gjuhën shqipe. Një këngë të tillë do t’a kishin zili kultura të mëdha dhe popuj të mëdhenj; me siguri francezët do ta donin të kishin të tyren, po ashtu anglezët, spanjollët ose italianët. Nivele të tilla sipërore nuk janë të zakonshme edhe për njerëzimin, e le më pastaj për një popull të vogël si shqiptarët.

Po ashtu, muzika e tjetër e Pagarushës mbetet thellësisht elitare dhe qytetare, njëlloj tradite të padiskutueshme e qytetrimit tonë, kulturës tonë. Sigurisht që është marrëzi të mendosh se Nexhmije Pagarusha nuk ndikoi njësoj si Pink Floyd ose Queen. Por Nexhmije Pagarusha ishte shqiptare, një ndër më të ndriturat e epokës së saj.

Në të vërtetë, në të gjithë qasjen e Shqiptar Osekut nuk kuptohet mirë se ku do të dalë. Sepse, sipas tij, Pagarusha nuk mund të jetë një mit, nuk është e madhe, nuk është e mirë, sepse ajo këndoi në kohë të Jugosllavisë.

Shumë mirë, po çfarë të bënte Pagarusha? Të mos këndonte? Të këndonte kundër regjimit serb, apo të arratisej nga Kosova? Nëse do të këndonte kundër regjimit serb, a do t’i transmetonte Radio Prishtina këngët e saj? Domethënë, Fadil Hoxha dhe Rrahman Morina?

Dervish Shaqa ka qenë një rapsod popullor nga Kosova që jetonte në Shqipëri, diku afër Durrësit. Një këngëtar i rrallë, me zërin më të rrallë ndër rapsodët e gegënisë. Shumë legjenda thuhen për Dervish Shaqën. Një ndër to, ishte djali që kishte lënë në Kosovë, u rrit dhe u ba rapsod si i ati. I erdhi fjala Dervishit se djali t’u ka ba kangatarë i rrallë. Dervishi, për të treguar partishmërinë e tij, thotë:

“Djali jem nuk mund të bahet kangatar ma i mirë se unë, sepse ai këndon për serbinë e unë këndoj për Partinë”

Mundet të jetë ose jo e vërtetë. Por fakti është se Dervish Shaqa i ka kënduar Partisë dhe terroristit Enver Hoxha.

***    ***    ***

  • Çfarë shkruante Shqiptar Oseku? Statusi i tij i plotë:

Paska vdekur Nexhmie Pagarusha, ndjese paste.

Kujtimi me i hershem qe kam per Nexhmien eshte nga femijeria Ime, do te kem qene 6 vjec. Jam ne shtepine e vjetër te gjyshes dhe bëj detyrat e shkolles, ndersa nga radio e markes jugosllave Portorozh, e mbuluar me qendisma, vie me zë te ulet nje kenge e Nexhmies. Unë s’e kam mendjen aty, nuk degjoj as hapat e babait qe kthehet nga puna. Ai me te hyrë ne dhome ndalet, mpreh veshet. Nuk me flet, as me vëren fare. Kalon skaj meje si te mos isha, e shkon dhe fik radion duke sharë neper dhëmbë. Pastaj del i zymte nga dhoma. Ne heshtjen e krijuar, oktava fantome te Bareshës perzihen me vajin e mbytur te nenes sime ne kuzhine. Ajo sa ka marre vesh se babain e kane hequr nga puna, perseri.

Unë jam rritur me nje ndjenje mikste ndaj Nexhmie Pagarushës, si shume prej nesh qe u rritem nën Jugosllavi. Nexhmia ishte benjamine e lojalisteve jugosllavë, te cilet nate e dite luftonin kulturen ”irridentiste” nga Shqiperia. Nuk e teproj po te them qe ne shtepite e te burgosurve, emri i saj ish i urryer. Kenget e saj me tone sllave e rome, ne akord me udhëzimet e shokut Tito per vellazerim-bashkim midis kombesish jugosllave, ishin tabu. Ne luften e dy diktaturave te egra per mendje e zemra te shqiptareve, Nexhmie Pagarusha qe diva e oborrit qe pati ne dispozicion te gjitha resurset e shtetit jugosllav. Asaj i jipeshin orkestrat më të mira, kompozitorë të njohur i bënin këngë enkas në spektrin e saj zanor. Njerezve ne anën e kundert te barrikades u mbeten kujtim i keq paraqitjet e saj ne bankete ekskluzive per shokun Tito, per shokun Dushan Mugosha, e per tjere shoke te diktatures. Per mua, zëri i saj eshte si kolone muzikore e policise dhe depresioneve te plakut tim.

Shpresoj te mos keqkuptohem: nuk them se gjendja qe me mire nën diktaturën enveriste, se s’ishte. Vertet Nexhmia u kendoi bareshave ne kohen kur njeriu po aterronte ne Hene, e kur bashkatdhetaret e saj ishin kombesia me e diskriminuar ne Jugosllavi. Por ne anen tjeter te kufirit, Fitnete Rexha u kendonte uzinave socialiste ndërsa enverizmi po ushqente njerezit me tallona, e po u thyente eshtrat ne Spac e Tepelenë. Beteja midis dy diktaturave ne fushen e kultures s’pati fitues, vec humbes tragjike ne tana anet e mundshme.

Nder humbesit ishin edhe vetë yjet e dikurshem te estradave te diktaturës. Sa te rinj degjojne sot, vertet degjojne, Nexhmien? Sa Fitneten? E pra te gjithe e dine Hotel California. Te gjithe dine hitet nga Pink Floid, Queen, Neil Young, a Rolling Stones. Gjithe keta u bene yje ne vitet kur diktaturat e Ballkanit kurdisnin Nexhmien te kendoje per baresha, e Fitneten per uzina.

Sot, me distancen ne kohe e hapesire nga femijeria, kam arritur te nje pike ku ndiej keqardhje edhe per Nexhmien. Edhe per Fitneten, per Vace Zelen, e per te gjithe artistet qe u bene dekor diktaturash. Se nuk eshte se u mungonte talenti: ku ta dish se ku do te arrinin, sikur te kishin qene franceze a italiane. Sikur te mos kishin qene pjelle e kombit me te shtypur ne Europe.

Eshte meshire e madhe kjo, qe koha sheron plage. Ato plage qe koha s’i sheron, i zbut e i mekon, te mos dhembin më njesoj. Koha i ben njerezit nostalgjike, ata i merr malli per kujtime te femijerise. E malli eshte si bareshat, u këndon vec diteve me diell. S’do t’i kujtoje ujqerit e pergjakshem qe kafshonin ne terr.

Ai djali i vogel qe bente detyrat e shtëpisë, sot kthehet e dëgjon nganjëherë prape Nexhmien. E degjon, vertet e degjon. E i dhimbset ajo, ashtu sic i dhimbset plaku me Fitneten, nëna qe qan ne kuzhinë, e vetja femije ne divan. Jane familje e palumtur te gjithe, tok me zërat neper eterin e radios. Dhe unë do t’i lija te patrazuar ne botën e vet, me Nexhmien ne radio, sikur te mos ndieja prape frymemarrje te ujqerve ne terr.

  • Më tej Oseku shkruan:

Portretimi ikonik i Nexhmie Pagarushes si ”Madonna” e kultures ne Gegerine veriore eshte nje rast par excellence dhe shume interesant se si punon industria shqiptare e miteve. E kemi ne pune live, para syve tane, e do te duhej ne fakt ta studionim ne menyre shkencore.

Miti per Nexhmie Pagarushen punon thjeshte, crudo, si punon pothuajse cdo mit shqiptar. Ai nuk mjaftohet te thote se Nexhmia kish ze te mire (e pakontestueshme) dhe te japë pastaj kontekstin sociokulturor e historik. A jo, aty e tutje nis nje grumbull fiksionesh stereotipe.

Pike se pari, Nexhmia behet mit i individit te suksesshem, njeriut qe arrin sukses ekskluzivisht fale talentit te vet. Eshte fjala pra per nje rrefim te suksesit, i cili konfirmon narrativin neoliberal per rolin qendror te individit. Vetem pak dekada me parë, ky lloj narrativi do te quhej i parendomte ne shoqerine klanore shqiptare, me theks te kolektivi. Ne Ballkan mitet historikisht jane kolektive, Homeri shkruan per klanet e akajve, rapsodet kendojne per ceta heronjsh, Gjergj Elezi lufton per nderin e motres etj. Fitorja nuk arrihet kurre mbi kolektivin, por gjithmone per kolektivin. Fakti qe ketu kemi nje dimension kaq te fortë individual deshmon sa largvajtes ka qene procesi i transicionit neoliberal ne ato ane, edhe ne fushen e kultures. Sot edhe heronjte i kemi amerikanizuar, ne model stereotip te individit te vetebërë qe ngadhnjen mbi kolektivin.

Meqe heroi rastis te jete grua, ky mit ka edhe prekjet e domosdoshme te feminizmit liberal. Ketu gruaja individuale arrin sukses pa kuotim kunder kultures patriarkale. Qenka e mundshme t’ia dalesh mbanë pra, s’na duhen kuotat, vec duhet me qene grate te afta si Nexhmia. Ky lloj diskursi devijon perkohesisht narrativin e qenderzuar rreth individit, duke pranuar pro forma mendesine patriarkale si kategori strukturore siperinsividuale. Por vetem per ta rektifikuar pastaj individin serish, duke pasqyruar ngadhnjimin e heroines si ngadhnjim te nje individi grua mbi kolektivin burrnor.

Dhe ne fund kemi natyrisht kontekstin e detyrueshem patriotik, heroina jone individuale arrin nje sukses qe i ben nder kombit. Edhe ketu rrëfimi i ndikuar nga amza neoliberale mbetet i qenderzuar rreth individit. Nje individ grua qe eshte shqiptare ngadhnjen mbi një kolektiv, ne kete rast mbi kolektivin e hasmit shekullor, mbi kolektivin etnik e shtetnor te serbeve.

Nese do te studiosh nje mit, duhet te shikosh jo vetem se cfare thotë ai. Por duhet te kerkosh njesoj vemendshem edhe se cfare ai hesht. Shpesh here mitet zbulohen me fort nga gjerat qe heshtin, se nga gjerat qe thonë. Dhe gjerat qe heshten ne kete uzinë mitesh te ngritur post mortem rreth Nexhmie Pagarushes bien pothuaj ne cdo pike ndesh me realitetin.

Ne radhe te pare, realiteti i Nexhmie Pagarushes eshte se nuk eshte e sigurt se ajo qe individ i suksesshem. Varet natyrisht nga perkufizimi i suksesit: nese quajme sukses pse kendoi per here te pare si artiste e nje grupi etnik te diskriminuar ne disa skena me te njohura, e se mori disa shperblime, atehere ishte e suksesshme. Por nese sukses tek artisti quajme realizimin e plote te talentit, ceshtja hapet per debat. Artistet behen vërtet te medhenj kur talenti i tyre kap damarin e epokes se vet, duke i dhënë atij nje ngjyrim personal. Artiste kulmore kane arritur me raste edhe te ndryshojne rrjedhat e aortave te kohes.

E pra, ne kohen kur këndon Nexhmia jeta peson transformim te hatashem. Njeriu i pare sa ka shkelur ne Hene, bota ka nisur te dekolonializohet, Gegeria veriore eshte ne proces te urbanizimit. Prishtina sa ka patur protestat e veta te para studentore. Por repertoari i Nexhmies nuk pasqyron artistikisht asgje nga epoka e vet. Ai mbetet repertoar banal, si i cdo artisti te kontrolluar nga diktatura.

Diktatura te jep, por diktatura edhe te merr: te jep skenën, por te grabit shpirtin. Gjitha kenget e Nexhmies mund te ndahen ne tri lloje: kenge bukolike per bukurite e natyrës dhe fshatit, te cilat perkthehen edhe serbisht dhe ekotizojne shqiptaret; idila historike ku mjerimi i te kaluares me rruspe e kuti duhani kontrastohet te degjuesi shqiptar me progresin e Jugosllavise socialiste; si dhe melodrama sentimentale ku qahet nje ndarje dashurore. Per dallim prej diktatures enveriste, ku dashuria e pafat quhej shfaqje mikroborgjeze, diktatura jugosllave eshte me subtile dhe perdor dashurinë e pafat si ëmbëlsues, me kusht qe vuajtja te mos shkaktohet nga diktatura, pra nga rrethanat sociale, ekonomike, a kulturore te jetes nën shtypje. (Eshte interesant te vërehet se si ky diskurs kengesh per ndarje te dhimbshme e krejt te paarsyeshme vazhdon te dominoje estraden edhe ne epoken e repit; kur keqmesohet njeriu me hanger dushk nga diktatura, eshte shume zor te cmesohet.)

Kujt i thote mendja se Nexhmie Pagarusha, me talentin e vet, do te kish patur nje repertoar kaq banal, e fyes per te, sikur te mos jetonte nën diktature? Nexhmia, sikur te kish lindur italiane, franceze, a angleze, do te ishte yll global. Ajo mund te ishte edhe shqiptare, por te ishte e lirë te kendoje ne tjera gjuhë, si Rita Ora dhe Dua Lipa, e do te kapte majat e fames. Ne vend te kësaj, ajo mbeti nje kengetare province, te cilen sot e permendin vec bashkefisnoret e saj ne nje qoshk te Ballkanit. Mund te argumentojme pra njesoj fuqishem se ajo ishte ne fakt komplet e deshtuar. Dhe, dicka shume me rendesi, se kontrolli qe ushtroi mbi te diktatura ishte arsye e deshtimit.

Heshtja e dyte pllakos rreth mitit te saj feminist liberal. Faktet qe kjo heshtje kerkon te mbyse eshte se karriera e saj u sponzorua nga burra me pushtet te diktatures, si numer ekzotik argetimi per ta ne radhe te pare. Ajo nuk ishte kurre këngëtare e masave. Mënyra e zgjuar si e shfrytezoi ndersjelltesisht Nexhmie Pagarusha botën e burrave per te depertuar aq sa depertoi me talentin e vet mban deshmi te nje gruaje te forte, e cila mund te ish kthyer ne frymezim per tjera vajza e gra. Por akomodimi me diktaturen beri qe ajo te kompromitohet politikisht e te izolohet prej nje popullsie e cila, ne shek XX, mund te shihte perdite ne tv, e te dëgjonte nga familjaret e vet ne Perëndim, se jeta mund te jete krejt ndryshe. Nexhmie Pagarusha nuk u be kurre, e nuk eshte as sot, ndonje frymezim feminist ne Kosove. Dhe kjo, serish, mu per shkak pse u gllaberua nga diktatura.

Aspekti i trete qe heshtet eshte rreth stereotipit patriotik. Pra fakti i thjeshte dhe i lehtelexueshem se Nexhmie Pagarusha u perdor nga diktatura per t’i dhene legjitimitet ne fushe te kultures sundimit diskriminues jugosllav. Ajo ishte diva qe legjitimonte propaganden e shtetit per parajsen e socializmit jugosllav ku te gjithe ishin njesoj, ndonese disa quheshin ”kombe” me te drejta te medha, e disa ”kombesi” me te drejta te vogla, jo shkaku i numrit — shqiptaret ishin kombi i tretë nga madhesia — po shkaku i gjenezes etnike. Nexhmie Pagarusha pra legjitimonte nje diktature e cila, pos elementit te dhunes ideologjike, kishte edhe nje element te dhunes strukturore raciste kunder shqiptareve josllave.

E verteta e thjeshte eshte se paraqitjet e Nexhmie Pagarushes si ”neger i talentuar i shtepise” shqiptarëve u dhane ngushëllime te pakta. Por Jugosllavise i dhane nje argument te fortë ne propagande. Pa Nexhmien, shqiptaret do te kishin qene njesoj si me te, sa i perket raporteve te tyre me Jugosllavine. Por me te, Jugosllavia ishte shume me e fortë ne propaganden e vet per gjoja ”zgjidhjen me te perkryer te ceshtjes nacionale ne bote” — citat nga libri im i vjeter nga lenda dituri shoqerie, ne vit te pare te gjimnazit, viti shkollor 1984/85.

Kur dikush i jep armikut tend me shume se ty ne ore te zorit, duke e forcuar ate karshi teje. Kjo ne terminologjine e përditshme nuk quhet patriotizëm. Ka emra tjere qe i shkojnë kesaj sjelljeje, por une nuk dua t’i permend ata sot.

E verteta eshte se diva e lojalisteve u popullarizua ne masat e gjera te Gegerise se veriut relativisht vone, vetem pas nje ngazellimi lavdatash nga artiste e kengetare shqiptare te Tiranes se dezorientuar nga izolimi. Ne politikat identitare te shqiptareve te matanekufirit, lavdet nga Tirana janë pare tradicionalisht si haute couture. Ato ne kontekstin lokal u kapen nga elitat lokale ish-jugosllave, te cilat tashti mund te rehabilitonin gruan qe dikur e kishin mbajtur ne kulle te fildishte. Ne kete menyre ato po rehabilitonin edhe vetveten, e po shmangnin nje debat potencialisht kercenues per to, rreth rolit te tyre ne legjitimizim te diktatures jugosllave ne fushe te kultures. Pajtimi i detyrueshem kombetar karshi gjenocidit serb, qe goditi dikur edhe lojalistet jugosllave, ishte nje tjeter imperativ per te legjitimuar mite te rrejshme.

Per fat te keq, ky diskurs i pajtimit ishte njesoj intolerant ndaj disidenteve sic ishte sikur diktatura. Ish te burgosurit shqiptare te ndergjegjes, ta zeme, u skajuan ne menyre efikase dhe nuk fituan kurre ate ndeshlyerje morale qe u takonte. Ne vend se ata te behen simbole te shtetndertimit, se Republika e Kosoves u ndertua mbi sakrificat e tyre. Shtetndertues u quajtën lojalistet jugosllave, e eksperimentet e tyre ne inxhinierim kulturor. Gjithe kjo u be pa nje debat rreth te kaluares. Politikat e kujteses sot jane bere politika te harreses se qellimshme, sic deshmojne edhe mitet rreth Nexhmie Pagarushes.

Me poshte: nga repertoari i kengeve te Nexhmie Pagarushes

* Baresha
* Ani mori nuse
* Mora testinë
* Kur më shkon si zog n’hava
* Kur më del në derë
* Ke selvitë
* Ç’u ngrit lulja në mëngjes
* Çil njat zemër plot kujtime
* Dallëndyshe
* Një lule
* Zambaku i Prizrenit
* Sytë për ty i kam të njomë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Këngët e saj do të këndohen përjetë”

Meta: Nexhmije Pagarusha ishte e papërsëritshme!

Nostalgji për divën e muzikës shqiptare

Epopeja që mban emrin Pagarusha