MENU
klinika

Rama thumbon Francën

“Parisi i ngatërroi himnin Shqipërisë dhe i kërkoi falje Armenisë”

15.02.2020 - 18:13

Para liderëve botërore në konferencën e sigurisë në Gjermani, kryeministri Rama nuk nguroi të ironizojë Francën për incidentin e ndodhur në ndeshjen e futbollit me Shqipërinë, ku organizatorët ndryshuan himnin e vendit tonë me atë të Armenisë.

Por, sipas shefit të mazhorancës, gabimi i Parisit zyrtar u shtua kur i kërkoi falje Armenisë në vend të Shqipërisë. Në të njëjtën ditë kur Presidenti francez dha lajmin e mirë për një votë pro Shqipërisë për çeljen e negociatave, kryeministri Edi Rama në konferencën e sigurisë në Mynih e nisi fjalën e tij duke thumbuar Parisin zyrtar.

Por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë për qëndrimin që mbajti Macron për hapjen e negociatave, por duke i kujtuar Francës gabimin që bënë në ndeshjen e futbollit me Shqipërinë duke ndryshuar himin kombëtar të vendit tonë.

“Shqipëria luajti në Paris futboll dhe i vunë himnin e Andorës. Të gjithë u çuditën dhe pastaj francezët u kujtuan se kishin bërë gabim dhe i kërkuan ndjesë Armenisë që kishin vënë himnin e gabuar.”

Pas kësaj Edi Rama duke folur si kryetar i OSBE-së kërkoi më shumë angazhim nga vendet anëtare të kësaj organizate për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

“Për njerëzit po ndodhin gjëra të tmerrshme, është tamam apokaliptike dhe ka mesatarisht 10 mijë njerëz që kalojnë nëpër këtë urë në kushte të pamunduara klimaterike.”

Në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, Rama do të udhëtojë drejt Moskës me 25 shkurt për të zhvilluar takime me autoritetet vendase.Ukraina dhe Rusia që nga 2014 janë përfshirë në një konflikt të armatosur, me aneksimin e Krimesë nga kjo e fundit.