Viti sapo ka nisur por rëndësia e tij historike tashmë është e qartë. Të paktën për sa i përket perëndimit, ngjarjet e parashikueshme në muajt e ardhshëm do të kenë një ndikim vendimtar në të ardhmen.
Momenti i së vërtetës do të vijë në 3 nëntor 2020, kur votuesit në Shtetet e Bashkuara të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit.
Zgjedhjet presidenciale të SHBA kanë qenë gjithnjë të rëndësishme globalisht, sepse përcaktojnë se kush do të udhëheqë vendin më të fuqishëm të botës për katër vitet e ardhshme. Por pasojat janë shumë më të rënda kësaj here.
Rizgjedhja e Presidentit Donald Trump mund të parashikonte fundin e rendit botëror liberal dhe sistemit të aleancave që Amerika ka nxitur që nga vitet ’40.
Nëse Trump do të fitojë në nëntor, ai do të ketë një mandat të bëjë “kërdi” për katër vjet të tjerë. Rezultati do të jetë i njëjtë me përshkrimin që ai ofroi në fjalimin e tij të parë inaugurues: Masakra amerikane.
Mos bëni gabim: ka një ndryshim të madh nëse Trump do të mbetet në detyrë për tetë vjet dhe jo vetëm katër. Përveç amerikanëve, evropianët do të ishin të parët që do të ndienin pasojat e një mandati të dytë të Trump.
Fakti është që Evropa mbetet pothuajse ekzistencialisht e varur nga SHBA, si ekonomikisht ashtu edhe për sigurinë e saj.
Kur Trump u zgjodh në vitin 2016, pothuajse të gjithë brenda dhe jashtë SHBA u zunë në befasi. Në vitin 2020, askush nuk do të bëjë përsëri të njëjtin gabim.
Nëse Trump rizgjidhet, ai ka shumë të ngjarë të sillet edhe më radikalisht. Ai do të jetë plotësisht i bindur se ai është “i zgjedhuri”, i cili i rezistoi me sukses sulmeve nga opozita, institucionet dhe medias.
Evropianët duhet të përgatiten për më të keqen. Pyetja kryesore, si për Evropën ashtu edhe për Perëndimin, është nëse NATO mund të mbijetojë në një mandat të dytë të Trump.
Siguria dhe sovraniteti i Evropës tani janë në rrezik. BE duhet të pyesë veten nëse është e gatshme të bëjë atë që është e nevojshme për të mbetur një lojtar i pavarur, i bashkuar në interesin e përbashkët të të gjithë evropianëve.
Përndryshe, qëndrueshmëria e Evropës si një entitet demokratik, sovran për të kontrolluar fatin e saj do të vihet në dyshim, dhe për këtë arsye, do të testohet nga kundërshtarët, si kurrë më parë.
Joschka Fischer ishte Ministër i jashtëm gjerman dhe zëvendëskancelar nga viti 1998-2005. Fischer hyri në politikën zgjedhore pasi mori pjesë në protestat e viteve 1960 dhe 1970, dhe luajti një rol kryesor në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën ai drejtoi për gati dy dekada.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al