MENU
klinika

Ilda Bejleri sqaron ndjekësit

Përplasi kalimtaren dhe u largua?

13.02.2020 - 10:21

63-vjecarja Enriketa Gjuzi, e aksidentuar një ditë më parë nga moderja e njohur sportive Ilda Bejleri, ndodhet aktualisht në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, në pritje për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë.

Nga shtrati i spitalit, Gjuzi tha se ishte duke kaluar rrugën në momentin që është aksidentuar nga moderatorja Bejleri. Ndonëse e pranon se nuk ndodhej te vizat e bardha, Gjuzi thotë se ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën me një grup njerëzish, kalimtarë të rastit.

“Makinat ishin në tre korsi, ndaluan shpejtësinë, ndërsa mjetit që më goditi ia bëra me dorë të ndalojë, por ajo vijoi. Nga xhami nuk e pash kush më goditi. Kalimtarët që më ndihmuan më thanë se ishte Ilda Bejljeri, madje i kërkuan të ndalojë, por ajo u largua. Ndërsa uli xhamin, pa zbritur fare më tha: “pse do të shikoja nga cepi i pasqyrës..”, dhe iku duke i dhënë gaz makinës” – tregon 63-vjecarja.

Gjuzi kujton se ishte ndihmuar nga një drejtues tjetër automjeti, i cili ndodhej në makinë bashkë me gruan e tij shtatzënë. ‘Do e kisha falur, vetëm të ndalonte, më preku sjellja e saj.” – tha nga spitali 63-vjeçarja.

Ndërkohë, lda Bejleri ka reaguar publikisht pas lajmit të bujshëm të aksidentit të djeshëm. Moderatorja ka postuar në Instastory një shkrim ku tregon me detaje ngjarjen dhe thotë se pasi u hapën kamerat nga policia është vërtetuar se Ilda nuk ka faj.  Moderatorja thotë se gruaja 64-vjeçare është rrëzuar teksa nxitonte për të kaluar semaforin, i cili për këmbësorët ishte i kuq.

“Për fatin të mirë timin, kamerat janë hapur në polici dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan por unë qëndrova pak. Por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë së nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndoshë e mirë”, shkruan Ilda duke sqaruar situatën.

Për të shuar çdo dyshim lidhur me ndonjë arrestim të mundshëm, Ilda ka vendosur në postim vendodhjen e saj dhe tregon se është në shtëpinë e saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"E hap dekoltenë sa hap gojën..."

Ilda Bejleri thumbon analistin, nuk i ka dalë inati