MENU
klinika

Dosja ndahet mes Përmetit dhe Gjirokastrës

Prona dhe para për të liruar vëllezërit Aliko

29.02.2020 - 14:21

Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës ka thyer heshtjen pasi u arrestua dje.

Përreth 90 minuta para oficerëve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, Henri Çili ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga policia, duke thënë se do të kundërshtojë gjithçka me prova e fakte në gjykatë. Ditën e nesërme në Gjykatën e Faktit në Përmet, pritet të mbahet edhe seanca përmasën e sigurisë ndaj Çilit dhe 27 të arrestuarve në operacionin e gjerë policor koduar ‘Mezhgorani’ në vijim të procedimit penal të fund 2019-ës në Prokurorinë e Përmetit për falsifikim të kartëmonedhave.

Gazetari i Report Tv, Piro Nase, tha se gjatë seancës së pyetjeve pasditen e djeshme, Çili ka qenë mjaft i qetë. Ai nuk ka dhënë shpjegime për 6 akuzat e ngritura ndaj tij, por ka mohuar të jetë i përfshirë apo që të ketë ndikuar tek ndonjë gjyqtar për lirimin ose zbutjen e dënimit të vëllezërve nga Lazarati, Arbjon dhe Alban Aliko, dënuar me vendim të formës së prerë nga Apeli për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në 2015-ën në fshatin e Gjirokastrës.  Henri Çili mësohet të jetë shprehur se gjithçka sipas tij është tërësisht e manipuluar dhe do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.

Mësohet se mbrëmjen e djeshme, Çili ka qëndruar në dhomën e paraburgimit me tre persona të tjerë me të cilët ka pasur komunikime të vazhdueshme.

14 nga të arrestuarit ditën e djeshme janë për prodhim dhe shitje të narkotikëve, të tjerët për mashtrim, falsifikim të dokumenteve, armëmbajtje pa leje etj, ndërsa mes të prangosurve është edhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, i cili nga hetimet e deritanishme dyshohet të jetë personi që ka lidhur kontaktet mes Adil Alikos dhe botuesit të njohur, Henri Çili, për t’i kërkuan ndihmë për djemtë e tij që kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke pretenduar pafajësi. Nga dosja e prokurorisë mësohet se Çili është takuar me një gjyqtar në lokalin e një hoteli në Tiranë, por nuk bëhet i ditur emri.

Në këtë ngjarje u përfol edhe emri i Ardian Dvoranit, si i vetmi gjyqtar i Lartë i cili është dhe relator i çështjes së vëllezërve Aliko në Gjykatën e Lartë. Por dje për mediat, ai mohoi të jetë takuar me Çilin, duke pohuar se ka njohje por se janë përshëndetur rastësisht kur kanë qenë në evente të përbashkëta. Dvorani, i cili njëherësh është kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, tha se nuk është bërë asnjë përpjekje nga ana e tij për të përshpejtuar shqyrtimin e ndonjë dosje në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, ai nuk mohoi që ndonjë tentativë për shqyrtimin me përparësi të dosjes së vëllezërve Aliko të mos ketë ndodhur nga ndonjë person tjetër, kur u shpreh se “Duhet të jetë ndonjë spekulim, unë uroj që kjo gjë të mos ketë ndodhur”…por mohoi në mënyrë kategorike që të jetë ai i përfshirë: “Në rastin tim nuk bëhet fjalë, është kategorike”, theksoi ai.

45-vjeçari Henri Çili është i dyshuar për 6 vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN