MENU
klinika

Lajmi i mirë

Pse fëmijët preken më pak nga Koronavirusi?!

26.02.2020 - 13:19

Numri i të infektuarve me Koronavirus po rritet dita ditës në Itali dhe tani ka mbërritur lajmi për fëmijët e parë pozitivë ndaj virusit: një vajzë 4-vjeçare italiane nga Castiglione d’Adda, epiqendra e shpërthimit në Lombardi, dy të tjerë të moshës 10 dhe 15 -vjeçare dhe një vajzë 8-vjeçare në Veneto, që ka shumë të ngjarë të jetë infektuar nga pacienti i parë nga Limena.

Të gjithë pacientët nën moshë janë mirë ose kanë simptoma të buta. Normal që të gjithë prindërit pyesin veten sesa rrezikojnë fëmijët e tyre?

Virologët në të gjithë botën vazhdimisht kanë deklaruar se fëmijët janë më rezistentë ndaj sëmundjes. Pak raste janë regjistruar në Kinë, vendi më i prekur nga epidemia dhe nuk ka vdekje midis fëmijëve nën moshën 10-vjeçare sipas studimeve epidemiologjike, përveç një rasti kritik të një 15-vjeçari.

Komuniteti shkencor nuk ka gjetur ende një përgjigje të caktuar se pse fëmijët duken më të mbrojtur, por natyrisht ky është një lajm i mirë dhe arsyeja mendohet të jetë si më poshtë:

“Ne e dimë që Koronavirusi është shkaku më i shpeshtë i ftohjes – shton Alberto Villani, i cili është edhe shef i repartit të Pediatrisë së Përgjithshme dhe sëmundjeve infektive në Spitalin Bambino Gesù në Romë – dhe fëmijët vazhdimisht përballen me infeksione: është e mundur që përgjigja imune ndaj infeksioneve të Koronavirusit të fundit mund t’i ndihmojë fëmijët të mbrojnë më mirë veten e tyre edhe nga Covid-19 i ri. Shkurt, ekziston një mbrojtje gjenerike, megjithëse jo specifike për këtë patogjen. Përveç kësaj, sistemi imunitar i fëmijëve mund të jetë në gjendje t’i përgjigjet më mirë infeksionit sepse është më reaktiv”.