MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Rama dhe realiteti i Shqipërisë….

18.02.2020 - 20:26

Nuk ka nevojë të mendosh gjatë, se në pikëkpamje praktike, Rama ka arritur një sukses në Konferencë. Edhe sikur t’i besosh kritikëve të specializuar të ekonomisë (do të veçoja Klodian Tomorrin në një shkrim dje), se shuma e mbledhur, mban brenda rreth 80 përqind borxh në forma të ndryshme. Sikur ta zëmë se nuk do t’i marrë fare këto borxhe, prapë ajo e mbledhur si dhuratë, është përtej pritshmërisë në raste të tilla. Që zakonisht theksojnë, se të japin deri në 10 a 20 përqind të shumës që kërkon.

Shuma dhuratë, është mbledhur nga vendet e tipit Francë dhe Itali si dhe BE, ku dihet kontribuesja më e madhe është Gjermania. E cila ka pra dorën e saj të gjatë, prapa kësaj dhurate…

Nuk ka vlerë të merresh shumë me suksesin e tij personal. Edhe kësaj radhe Rama, tregoi atë që kam thënë drejpërdrejt në në një shkrim ca kohë më parë. Ai është lojtari më i mirë që ka parë Shqipëria këto 30 vjetët e fundit në politikën e jashtme dhe ndoshta nga më të mirët në gjithë historinë e saj. Duke mishëruar në thelbin e tij, dinakërinë e Zogut dhe oratorinë e Nolit.

Tre a katër muaj më parë, mund të thoshe, se ishte thuajse në mbarimin e epokës së tij. Pa negociata, me tërmet mbi kuriz dhe me një arkë shteti, që ka kohë që nuk gjendet në binarët e normales….

Pardje po shihja romuzet që i hodhi Makronit, ashtu ëmbël-ëmbël, duke i provokuar sedrën. Ia doli me dy fjali. Himni i Andorës, kënduar për ndeshjen e Shqipërisë dhe falja e kërkuar prej saj Armenisë. Po e ekzagjeroj dhe vetë, po ia vlen si shembull. Francezët apo mbretërit e inteligjencës në Europë, e morën mesazhin… dhe paguan 160 milionë…

Analiza, se çfarë ka ngjarë realisht kohë më vonë, ndoshta do të vërtetojë, se ishim brenda produktit të një loje të hollë gjeopolitike të cilën, e luajnë vetëm ata që pranohen në tavolinat e mëdha. Ramën e pranuan së pari dhe kjo ka ngjarë jo pardje besoj. Të tjerat janë diskutime pa fund, e ndoshta pa bukë.

Po a ka fituar Rama dhe çfarë ka fituar realisht?

Një analist shkruante diku se Rama e kishte habitur në intervistën pak pas tërmetit me shprehjen “U ndjeva i vetmuar”.  Fraza mban era letërsi… veçanërisht kur del nga goja e një politikani…

Po sot, në inspektimin e tij në Durrës, e kuptova se pikërisht tani është vetëm, bile më vetëm se kurrë.

Opozita e Shqipërisë, e paralizuar prej kohësh më së shumti për shkak të gabimeve të saja dhe impotencës në gjithçka, nuk e dëmton dot më me ekzistencën e saj, por me mosekzistencën e saj. Klasa politike e Shqipërisë, e majtë dhe e djathtë, ka kohë që ka vdekur dhe kush nuk e kupton apo ndjen këtë, ka të njëjtin fat edhe vetë.

Shumica e analistëve të vendit kanë mbetur në ato istikamet e vjetra dhe janë po ashtu në pozitat e klasës politike.

shpetim nazarko

Elita reale e Shqipërisë, shumë më prapa asaj të Zogut, po deshe edhe asaj të Hoxhës, ka vdekur po ashtu….

Kush do të ngrejë Shqipërinë? Ai një miliardësh edhe të falesh dhe unë besoj se do të falet në një mënyrë a tjetër, pak hyn në punë sikundër besojnë disa, përfshirë dhe Ramën. Shqipëria ka harxhuar 50 a 60 miliardë zyrtarisht këto tridhjetë vjet dhe rezultatet janë barabari. Kudo në prona, në arsimimim, në toka e ujëra. Pra, 1 miliardë janë pak.

“Na duhen punëtorë”, tha Rama sot në Durrës… Ku janë? Asgjëkundi. Në fakt nuk prodhuam asnjë të tillë prej shkollave, bile edhe ata pak që u vetëprodhuan, ikën jashtë. Po punëtorët janë punëtorë. Janë të nderuar, po prapë nuk të ndihmojnë në ca sëmundje që i shërojnë elitat. Ku janë? Agjëkundi….

Na duhen investitorë të klasit të parë. Ku janë? Asgjëkundi. Duan punëtorë të arsimua, prona të garantuara dhe ligje të forta. Ku janë? Aty afër asgjëkundit.

Kritikët e tij, duhet t’ ia vinin në dukje këto po nuk ia vënë në këtë formë. Pse? Sepse janë edhe vetë kryearkitektët e kësaj fatkeqësie kombëtare.

Rama i gjeti paratë. Gjeti më shumë se mund të gjente kryeministri i një vëndi që mezi gjendet në hartë, shumë më shumë sa mundej. Po a bëjnë fajde? Jo për shtëpitë, por për atë që Hygoi i Madh e quan Kohë…

Rama është më i vetmuar se dje. Sot ditën e fitores ndaj një fatkeqësie, rrotull tij ata që quhen kundërshtarë dhe jo armiq në kohërat e demokracisë, janë hije dhe jo të tillë. Sot ata që quhen elitë, në çdo vend, nuk janë gjëkundi. Kanë ikur me kohë, ose ndoshta kanë vdekur me kohë.

Gjithnjë kam bërë habi, si ka mundësi që Zogu gjeti një vend me 800 mijë njerëz dhe 85 përqind analfabetë dhe bëri aq shumë në 10 vjet? Si ka mundësi që Shqipëria e 90-tës, që hyri në tranzicion me 4 milion njerëz, mbi 90 përqind të arsimuar, bëri këtë batërdi që shohim.

Rama duhet të rrijë rrotull zjarrit i vetmuar. Ndoshta e ka kërkuar vetë vetminë. Ndoshta ka parë më mirë se unë e të tjerë, se nuk ka njerëz, po kjo nuk e shpëton nga vetmia.

Duhet të rrijë aty rrotull zjarrit dimëror, vetëm, më vetëm se kurrë. E të mendojë me qetësi. Është detyrë shumë herë më e rëndë, sesa ajo e parave të gjetura për tërmetin. Shumë, shumë herë më e rëndë.

Ka rrotull një turmë të madhe kukuvajkash, që presin radhën e viktimës, pavarësisht se edhe vetë e dinë që janë të pafuqishëm për të ngrënë më gjë…

Nuk e di… Atë që di, është se ai është po vetëm si në ditën e parë.

"Bloomberg"/ Raporti i inteligjencës amerikane

Ç’ka fshehur Kina në këtë pandemi?

Pikat e forta die të dobëta të tij

COVID-19 nuk vritet, por kalbet vetë!

"Çdo gabim apo mos vëmendje paguhet vërtet rëndë”

Mjekja shqiptare në spitalin italian rrëfen për “Uniformën e Vetëvrasjes”

Gjithçka që ende nuk dimë për koronavirusin

A do ketë valë të dytë dhe a bëhemi imunë pasi infektohemi?

A duhet të bëjë teste për COVID-19 privati?

A ka vlerë testi i gjakut për koronavirusin?