MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Shfaqjet dhe gjysmë të vërtetat e Trumpit

05.02.2020 - 21:18

Në fjalimin për gjendjen e kombit ish-ylli i Reality, Donald Trump, ishte në element. Një Show me përmbajtje emotive, por as këto elemente nuk e fshehin realitetin e diskutueshëm, mendon Carla Bleiker.

Ishte ky një prej fjalimeve më të rëndësishme të vitit për presidentin amerikan Donald Trump – fjalimi për gjendjen e kombit. Rrallë herë një president shteti i drejtohet popullit me fjalë kaq të qarta. Ai foli më shumë se një orë dhe çdo fjalë transmetohej drejtpërdrejtë në TV. Për Donald Trumpin, i cili nuk do asgjë më shumë se një publik të ngazëllyer, ishte ky një plotësim i ëndrrave.

Në fillim ai foli gjatë për gjendjen e ekonomisë në SHBA, për të cilën tha se është në gjendje më të mirë se kurrë më parë. Papunësia është më e ulët se kurrë më parë, ndërsa numri i njerëzve që marrin bono për ushqime ka rënë nën shtatë milionë. Por këto pohime duhet të merren me rezerva. Papunësia është në rënie konstante që nga koha e Barack Obamës. E aktivistët pohojnë se shumë nga shtatë milionë njerëzit që marrin ndihma, nuk i marrin këto, sepse Trumpi i ka shkurtuar programet e ndihmave. Ky nuk është ndonjë sukses, por politikë e ftohtë sociale.

Konflikti me Iranin

Trumpi foli një orë e 18 minuta – pra më shkurt se vitin e kaluar. Fjalimi i tij “State of the Union” i vitit 2019 ishte i gjatë një orë e 22 minuta dhe ishte fjalimi i tretë më i gjatë në 50 vitet e fundit. Vetëm presidenti Bill Clinton ka folur në vitet 1995 dhe 2000 më gjatë.

Sa gjatë flet njeriu nga Shtëpia e Bardhë, çfarë flet dhe kujt i drejtohet – e gjitha kjo ka rëndësi. Çdo president i fton çdo vit “qytetarët e zakonshëm” që të jenë të pranishëm në fjalimin e tij. Këta njerëz janë të përzgjedhur me kujdes. Për fjalimin e këtij viti Trumpi ka përzgjedhur ndër të tjerë edhe Kelli dhe Gage Hake nga Oklahoma. Kelli Hake është e veja e një ushtari, të vrarë në vitin 2008 në Irak. Mendohet se përgjegjësinë për vrasjen e tij e mbante gjenerali i vrarë iranian Ghassem Soleimani, të cilin ushtria amerikane e vrau me urdhërin e presidentit në janar.

Prania e Hakes do të thotë, se vrasja e Soleimanit ka qenë një akt i guximshëm, një hakmarrje për vrasjen e ushtarëve amerikanë dhe evitim të vrasjeve të tjera. Por kjo nuk mund ta fshehë faktin se presidenti amerikan ka sjellë në prag lufte SHBA-në dhe Iranin. Qeveria e SHBA-së nuk ka paraqitur ende të dhëna të besueshme, se Soleimani ishte para kryerjes së sulmeve terroriste në SHBA.

Grisja e manuskriptiti nga Nancy Pelosi

Të pranishmit silleshin në kohën gjatë fjalimit si në ndonjë Reality Show. Melania Trump gjatë fjalimit ia dorëzoi gazetarit konservator Rush Limbaugh medaljen e ndarë nga presidenti “Medal of Freedom”. E familja e një ushtari u befasua me kthimin e ushtarit nga zonat e konflikteve. Ishin këto vetëm dy nga momentet e shumta që përfunduan me lotë tek pjesëmarrësit. Entertainment-Profi Trump duket se e ka përgatitur mirë paraqitjen e tij.

Ndoshta ai synonte një Show të veçantë për këtë rast, sepse ky mund të jetë edhe fjalimi i tij i fundit në postin e presidentit. Nëse Trumpi nuk rizgjidhet në këtë post, fjalimin “State of the Union” do ta mbajë një president tjetër. Për momentin kjo duket pak e besueshme, por demokratët ende shpresojnë. Nancy Pelosi, e cila figuron si zëdhënëse e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ishte ulur pas presidentit gjatë fjalimit të tij, e grisi në fund manuskriptin e fjalimit. Kur shikon shumë gjysmë të vërteta dhe lëvdatat e Trumpit në këtë fjalim, me siguri që edhe shumëkush tjetër do ta bënte të njëjtën gjë – do ta griste këtë manuskript.

Carla Bleiker, Deutsche Welle