“L’Ere Nouvelle” ka botuar, të premten e 19 marsit 1920, në faqen n°3, letrën e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, i njohur ndryshe me pseudonimin e Lumo Skëndos, në lidhje me aspiratat shqiptare, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Ne morëm letrën në vijim :
“Z. Kryeredaktor,
Sot, gazetat ju japin tekstin e përgjigjes së presidentit Wilson në lidhje me shkresat e Lloyd George – Millerand për çështjen e Adriatikut. Presidenti tha se nuk do të aprovohej asnjë plan që i jep Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë për atë që do t’i merrej (hiqej) diku tjetër.
Bëhet fjalë për rajonin e Shkodrës që projekti Lloyd George – Clemenceau (i 20 janarit) ishte i gatshëm t’i jepte Jugosllavisë.
Është një hap drejt një zgjidhjeje të drejtë të çështjes shqiptare, sepse Jugosllavia, nga ana e saj, ka deklaruar se e njeh pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve që u vunë për të në 1913 në Londër. Që atëherë, presidenti Wilson u shpreh gjithashtu për pavarësinë e Shqipërisë.
Shqiptarët në mënyrë të përsëritur kanë shprehur dëshirën e tyre të fortë për të parë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit të tyre të rikonfirmuara, pa asnjë ndërhyrje të huaj: qeveria e re e formuar nga Asambleja Kombëtare e mbajtur në Lushnje me 28 janar e dëshmon këtë gjë. Nëse dëshirojmë të sigurojmë paqen në Ballkan dhe të frenojmë aspiratat imperialiste, duhet të marrim parasysh aspiratat shqiptare.
Është për të ardhur keq që senatori amerikan Lodge mendoi se Korça duhej t’i jepej Greqisë, një rajon i cili, ashtu si Gjirokastra, është i banuar vetëm nga shqiptarë.
Shqipëria e 1913 paraqet minimumin jetik. Të bësh një amputim tjetër është si të nënshkruash vdekjen e Shqipërisë, një veprim kriminal dhe të një cinizmi hipokrit.
Ju lutemi pranoni, Z. Kryeredaktor, shprehjen e ndjenjave të mia të respektueshme.”
Lumo SKENDO
Delegat i shoqatës Pan-shqiptare “Vatra”
të Shteteve Bashkuara të Amerikës / darsiani.com