MENU
klinika

Prapaskenat

Si arritën Kurti dhe Mustafa te marrëveshja e papritur?

03.02.2020 - 11:20

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, hodhën të dielën firmat në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re e cila do të votohet të hënën në parlament. Albin Kurti dhe Isa Mustafa, publikuan së bashku njoftimin duke e cilësuar arritjen e marrëveshjes si “të mirë dhe në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend”.

Qeveria e re do të ketë 15 ministri. Vetëvendosje, kryetari i së cilës Albin Kurti do të jetë kryeministër, do të ketë 6 ministri, po aq sa edhe LDK. 3 ministri do t’i kenë pakicat. Në fillim të negociatave të dyja partitë ishin pajtuar që të qeveria e tyre të ketë vetëm 12 ministri, por Albin Kurti sqaroi se reduktimi kaq i fortë i kabinetit do të krijonte super-ministra dhe do të kërkonte shumë kohë por ristrukturim. Sipas marrëveshjes, posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas zotit Kurti, kryetari aktual, Glauk Konjufca do të marrë një post qeveritar. Marrëveshja nuk e përfshinë edhe çështjen e postit të presidentit, që ishte “mollë sherri” në negociatat për qeverinë e re. Lidhja Demokratike kërkoi që në fillim të negociatave që ai post t’i takojë asaj pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçi, vitin e ardhshëm.

Në orët e pasdites, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike miratoi marrëveshjen, ndërsa lëvizja Vetëvendosje e hodhi atë në referendum të brendshëm sipas parimit “një anëtar – një votë”. Por në mbledhjen e drejtuesve të LDK-së nuk munguan përplasjet. Vjosa Osmani ka shprehur pakënaqësi për ndarjen e posteve duke kërkuar ministrinë e brendshme dhe postin e zv.kryeministrit. Kjo nuk është mbështetur nga LDK-ja. Mediat e Kosovës thanë se ajo ka refuzuar postin e Kryetarit të Kuvendit, por gjithçka do të shihet të hënën paradite.

Por si arritën Kurti dhe Mustafa te shtrëngimi i duarve. Kur po mbushen 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve partitë kaluan një kalvar të gjatë negociatash. E para ishte Vetevendosje që bëri disa oferta për bashkëqeverisje, por LDK dukej skeptike dhe herë afrohej e herë refuzonte gjithçka. Pati momente kur u duk se një koalicion i tillë do të ishte e vështirë të realizohej. Fillimisht LDK nuk tërhiqej nga posti i Presidentit, por me zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit, partia e Isa Mustafës gjeti edhe një tjetyër arsye për të refuzuar marrëveshjen. Takime të njëpasnjëshme mes përfaqësuesve të dy partive po dështonin.

Në lojë u fut edhe presidenti Hashim Thaçi që bënte presion me mandatimin e qeverisë për tu dhënë sa më pak kohë Mustafës dhe Kurtit në gjetjen e dakordësisë. Kur u duk se vendi mund të shkonte sërish në zgjedhje në lojë hynë ndërkombëtarët. Fillimisht ambasadorët e QUINT-it dhe më pas të dërguarit e SHBA dhe BE. Zyrtarisht ata thanë se nuk ndërhynin në punët e brendshme, por në takimet kokë më kokë kanë kërkuar shmangien e skenarit të zgjedhjeve të reja. Parlamenti mblidhet të hënën për të votuar qeverinë e re të cilën e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, të katërtat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, pasuan dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Prokurosia e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit shënoi edhe ndryshimin më të madh në skenën politike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje doli e para e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe që të dyja partitë thanë se nuk kanë alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre. Pas 12 vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës del në opozitë.

Propozimet e Vetëvendosjes: Albin Kurti, Kryeministër; Haki Abazi, zv.Kryeministër i dytë; Glauk Konjufca, Ministër i Jashtëm; Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë; Besnik Bislimi, Ministër i financave; Rozeta Hajdari, Ministre e Ekonomisë; Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë; Blerim Reka, Ministër i Integrimeve Evropiane.

Propozimet e LDK-së: Vjosa Osmani, Kryetare e Parlamentit; Abullah Hoti, zv.Kryeministër i parë; Agim Veliu,Ministër i Punëve të Brendshme; Lumir Abdixhiku, Ministër i Infrastrukturës; Besian Mustafa, Ministër i Bujqësisë; Hykmete Bajrami, Ministre e Arsimit; Anton Quni, Ministër i Mbrojtjes; Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit.