MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Si do ta ‘luftonte’ koronavirusin çdo qeveri e aftë …

12.02.2020 - 17:03

Para se të shpërthente koronavirusi në lajme, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetit paralajmëroi se bota nuk ishte e përgatitur për një sëmundje që mund të vriste 50-80 milion njerëz, të shkaktonte panik dhe paqëndrueshmëri dhe të ndikonte në ekonominë globale dhe tregtinë.

Përvoja e viteve të fundit ka treguar se vetëm qeveritë e afta, mund të luftojnë në mënyrë efektive një pandemi të tillë, dhe madje edhe atëherë, vetëm me besimin dhe pajtueshmërinë e qytetarëve të tyre. Kjo tregon për tre sfida me të cilat përballen liderët politikë në luftën kundër koronavirusit të ri.

Sfida e parë është se politikanët janë të pavendosur lidhur me marrjen e një vendimi dhe miratimit të masave të bazuara tek shkenca që kërkojnë shpjegime për një publik shumë skeptik.

Për shembull, qeveritë në disa vende, përfshirë Indinë, Nigerinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, kohët e fundit bëjnë kontrolle temperature për të gjithë pasagjerët që vijnë në aeroportet e tyre.

Madje, më 31 Janar, administrata e Presidentit amerikan Donald Trump njoftoi një ndalim të përkohshëm të hyrjes për të gjithë shtetasit e huaj që kishin qenë në Kinë në 14 ditët e fundit, përveçse nëse ata ishin të afërm të afërt të qytetarëve amerikanë ose banorë të përhershëm.

Shumë vende të tjera kanë imponuar masa të ngjashme, por efekti mund të jetë pikërisht i kundërti i asaj që synohej.

Rregulli i artë në luftimin e pandemive është të inkurajojë vendet e prekura të njoftojnë të tjerët menjëherë për çdo infeksion. Studiuesit kinezë identifikuan me shpejtësi COVID-19, dhe ka nxitur kështu bashkëpunimin global, në garën për të krijuar një vaksinë. Duke vepruar kështu, Kina u pajtua me rregullat ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që vendet të punojnë së bashku për të luftuar infeksionet, në vend që të dëmtojnë veten e tyre ose të dëmtojnë pa nevojë të tjerët përmes masave proteksioniste.

Sfida e dytë për qeveritë ka të bëjë me komunikimin. Informacioni i saktë, i besuar është thelbësor për të luftuar një pandemi. Por në pjesën më të madhe të botës, qytetarët nuk besojnë që politikanët të thonë të vërtetën, kështu që ata drejtohen në mediat sociale dhe burime të tjera informacioni.

Platforma të tilla mund të lehtësojnë transparencë më të madhe dhe raportim të menjëhershëm, të cilat qeveritë nuk duhet t’i shuajnë, siç bënë zyrtarët lokalë në Wuhan, duke kërcënuar mjekët që raportuan për koronavirusin e ri.

OBSH po punon me ndërmarrjet e mediave sociale për tu siguruar që informacioni i besueshëm publik shfaqet së pari kur njerëzit kërkojnë lajme rreth koronavirusit. Ata gjithashtu po bashkëpunojnë për bashkangjitjen e paralajmërimeve në postimet e grupeve që promovojnë teoritë e komplotit dhe thashethemet për virusin, dhe në heqjen e posteve që rrezikojnë shëndetin publik.

Të gjithë politikanët përgjegjës duhet të mbështesin përpjekjet e tilla. Po kështu, politikanët dhe ndërmarrjet e mediave sociale duhet të luftojnë reagimet ksenofobike, të cilat pandemitë i nxisin shumë lehtë.

Stigma dhe diskriminimi e bëjnë më të vështirë luftimin e sëmundjeve infektive, sepse ato rrisin mundësinë që personat e prekur të shmangin kërkimin e kujdesit shëndetësor.

Në mënyrë thelbësore, lufta kundër COVID-19 kërkon që personat e infektuar të besojnë autoritetet publike sa duhet për të identifikuar dhe ndihmuar të gjurmojnë të gjithë ata me të cilët kanë qenë në kontakt, duke bërë të mundur që masat e duhura të izolimit të vendosen. Kjo ka më pak të ngjarë të ndodhë në një atmosferë stigme dhe diskriminimi.

Lajmi i mirë është që qeveritë kanë filluar ta marrin seriozisht situatën, pas shpërthimeve të mëparshme të SARS, H1N1, MERS, Ebola dhe Zika.

Pas krizës së Ebolës në 2014, për shembull, administrata e Presidentit amerikan Barack Obama themeloi një drejtori për sigurinë globale të shëndetit brenda Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu prezantoi një sistem për koordinimin e organizatave ndërkombëtare, kombëtare, shtetërore dhe lokale, publike dhe private, për të përballuar një epidemi globale,.

Lajmi i keq është se Trump shkurtoi fondet për përpjekjet e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të ndihmuar vendet e tjera të parandalojnë epidemitë e sëmundjeve infektive.

Ndërsa COVID-19 vazhdon të përhapet, publiku duhet të mbështetet në bashkëpunimin ndërkombëtar midis qeverive për të luftuar sëmundjen në mënyrë efektive.

Por rritja e presionit ndaj liderëve politikë rrezikon t’i shtyjë ato drejt masave më nacionaliste, afatshkurtra, të cilat janë më pak efektive apo edhe kundërproduktive.

Ngaire Woods është Dekan i Shkollës së Qeverisë Blavatnik në Universitetin e Oksfordit.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Editoriali i The Washington Post

Si e tronditi epidemia sistemin kinez…

Po i shmanget përgjegjësisë?

Kinezët vdesin e presidenti zhduket!