MENU
klinika

Nga The Guardian

Si presidenti kinez e “groposi” të vërtetën për koronavirusin…

27.02.2020 - 15:05

Në 70 vitet e kaluara, partia Komuniste Kineze ka kaluar një sërë katastrofash, të shkaktuara nga dora e njeriut, nga Revolucioni Kulturor dhe masakra e Sheshit Tiananmen, deri te shtypja me forcë e të drejtave në Hong-Kong dhe Tibet, dhe internimi i ujgurëve në Xinjiang.

Mënyra e Xi Jinping për të trajtuar epideminë e koronavirusit tani duhet të shtohet në listën e turpshme të krimeve të partisë.

Është e qartë se virusi i sundimit totalitar të Xi kërcënon shëndetin dhe liritë jo vetëm të popullit kinez, por të të gjithë ne kudo.

Vizioni ideologjik i Xi qëndron në zemër të kësaj krize globale. Duke e emëruar veten “president përjetë”, Xi tani ka më shumë fuqi se çdo lider partie që nga Mao Zedong. Partia Komuniste është një patogjen tinëzar që ka infektuar popullin kinez që nga viti 1949.

Në një fjalim të 31 Dhjetorit 2019, Xi paralajmëroi triumfalisht një vit të ri të “rëndësisë historike në realizimin e qëllimit të parë njëqindvjeçar!” Natyrisht, ai nuk përmendi pneumoninë misterioze të raportuar atë ditë nga autoritetet shëndetësore në Wuhan, provinca Hubei.

Edhe pse ishte njoftuar Organizata Botërore e Shëndetit, populli kinez  “kishte mbetur në errësirë”.

Në kohë krize, partia vendos gjithmonë mbijetesën e saj mbi mirëqenien e njerëzve. Li Wenliang, një okulist në spitalin qendror Wuhan, është bërë simboli tragjik i kësaj katastrofe. Më 30 dhjetor, ai njoftoi se shtatë persona me një koronavirus të paspecifikuar, i cili i kujtonte atij Sars, ishin në karantinë në spitalin e tij, dhe i këshilloi ata të mbroheshin .

Gjatë dy javëve të ardhshme, autoritetet pretenduan se problemi ishte nën kontroll. Por koronavirusi është indiferent ndaj dëshirave të kota të despotëve. Mbeti i pakontrolluar, u përhap.

Në kohën kur Xi vendosi të pranojë publikisht shpërthimin, më 20 janar, ishte shumë vonë.

Videot në WeChat dhe Weibo zbuluan shumëçka. Kishte pamje të bulevardeve të shkreta në qytetet e prekura. Kufomat e shtrira në trotuare. Një grua duke bërtitur: “Nëna ime po vdes, më ndihmoni!”

Ndërsa Li ishte në shtratin e tij të vdekjes më 30 janar, ai zbuloi të vërtetën. Pavarësisht se ishte anëtar i partisë, ai foli për New York Times në lidhje me dështimet zyrtare për të zbuluar informacione jetike në lidhje me virusin, dhe i tha revistës Caixin me qendër në Pekin: “Një shoqëri e shëndetshme nuk mund të ketë vetëm një zë.”

Në atë fjali, ai identifikoi shkakun thelbësor të sëmundjes së Kinës. Xi shtyp të vërtetën dhe informacionin për të krijuar shoqërinë e tij “harmonike” utopike. Por harmonia mund të ketë vetëm nga disa zëra të ndryshëm, e jo nga monologu i një tirani.

Por heshtja vazhdoi: u arrestuan disa persona që dokumentuan dhe flisnin për trajtimin e shtetit të shpërthimit.

Zyrtarët kinezë kanë raportuar sot 78.064 infeksione dhe 2,715 vdekje, kryesisht në Hubei. Por askush nuk u beson figurave të partisë.

Ndërkohë, me epideminë që ende vret  njerëz, Xi ka urdhëruar që njerëzit të kthehen në punë, për tu siguruar që objektivat ekonomike të shekullit 21 janë përmbushur. Sigurisht, ëndrra e Xi është një turp i madh.

Ma Jian është një autor nga Qingdao, Kinë. Ai u largua nga Pekini për në Hong-Kong në 1987 si disident, dhe u transferua në Londër. Të gjithë librat e tij janë të ndaluar në Kinë.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Editoriali i The Washington Post

Si e tronditi epidemia sistemin kinez…