MENU
klinika

Atletika shqiptare

Smajlaj e Burraj, medalje ari edhe në Beograd

27.02.2020 - 20:30

Atletika shqiptare po jep rezultate shumë të mira në këtë fillim viti në arenën ndërkombëtare. Pas Ballkaniadës, ku u morën 6 medalje, Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj arrijnë të shpallen kampionë edhe në Mitingun Ndërkombëtar të sallave të mbyllura që u mbajt në Beograd.

Dy atletët shkodranë bënë një paraqitje mjaft të mirë duke rrëmbyer medalje ari. Izmir Smajlaj, i cili konkurroi në kërcim së gjati, u pa në një formë mjaft të mirë.

Ai regjistroi rezultatin 7.94 metra (më i miri për këtë vit), ndërsa si rrallë herë të gjitha provat e tij ishin të rregullta, duke mos shkaktuar asnjë faull.

Kjo ishte medalja e katërt e artë në 2020-ën për Izmir Smajlajn, që më parë ka triumfuar edhe në Mitingun e Bratislavës, në Ballkaniadë dhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit.

Ashtu sikurse Smajlaj, edhe Franko Burraj bindi me paraqitjen e tij në garën e 400 metrave. 21-vjeçari i mposhti të gjithë rivalët, duke e ndalur kronometrin në kohën 47:20. Kjo ishte medalja e dytë e artë për Burrajn, i cili u shpall kampion edhe në Mitingun Ndërkombëtar të Stambollit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN