Tetë civilë kanë humbur jetën nga një sulm ajror i forcave të NATO-s në rrethin Surkh-Rod në provincën Nangarhar në lindje të Afganistanit.
Ataullah Hogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës, tha në një deklaratë se forcat e NATO-s organizuan një operacion ajror kundër militantëve talebanë. Hogyani tha se forcat e aleancës gabimisht kanë shënjestruar civilët, me çka tetë persona kanë humbur jetën.
Ai njoftoi se një delegacion është dërguar në rajon për të hetuar rastin. Nga ana tjetër, Ajmal Omar, anëtar i Këshillit Provincial në Nangarhar, pohoi se nga sulmi jetën kanë humbur mbi dhjetë civilë.
Ende nuk dihet se avionët e cilit vend e kanë kryer sulmin. Në Nangarhar gjendet baza e forcave të SHBA-së që veprojnë në kuadër të NATO-s.