Janë kthyer nga Italia dy të mbijetuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Albert Cara dhe Marlin Shkodra ishin në Itali për mjekim. Albert Cara humbi familjen në tërmetin e 26 nëntorit. Cara humbi familjen në tërmetin e 26 nëntorit në Thumanë. Marlin Shkodra është një prej të lënduarve nga tërmeti në Durrës. Në aeroport ata u pritën nga ministrja Ogerta Manastirliu, ndërsa thanë se kjo për ta është një jetë dytë.
Albert Cara, nga Thumana humbi të gjithë familjen në tragjedi, gruan, dy djemtë, vajzën, të fejuarën e djalit, nusen e xhaxhait dhe mbesën e saj. Ai u shpreh se përpiqet ta përballojë dhimbjen duke i dhënë forcë vetes për të ecur përpara.
“Mjekët në Itali kanë bërë një punë të mrekullueshme, ju jam mirënjohës. Kemi rilindur, kam lindur edhe një herë nga e para në moshën 59-vjecc. Dikush më tha atje në pavijon: Albert, ju shqiptarët jeni të fortë, ku e gjeni gjithë atë forcë. Gjithë këtë hall që ke si e përballoni? I thash e përballoj së pari me mendje, më pas shpërndahet forca në zemër”, tha ai.
Kryeministri Rama ka postuar në facebook momentin e mbërritjes së tyre, ku shkruan se ata u kthyen pas tre muajsh trajtim të specializuar.
“’Për ne është një jetë e dytë, kemi rilindur’…
Albert Cara dhe Marlin Shkodra, dy të mbijetuarit me trupin copë prej tërmetit të 26 Nëntorit, u kthyen sot në Shqipëri pas 3 muajsh trajtim të specializuar në një prej spitaleve më të mira në Itali.
Ogerta i priti në pistë, aty ku edhe i përcollëm bashkë 3 muaj më parë, varur vetëm në një fije të hollë shprese.
Sot rikthehen, me plagë të rëndë në shpirt prej humbjes së familjarëve nga tërmeti, por tanimë të shëruar prej plagëve që mund t’u kishin marrë jetën”, nënvizon Rama.