MENU
klinika

Përgjigjet mjekja e përgjithshme

Vuaj nga hernia diskale në fund shpinë. Çfarë të bëj?

25.02.2020 - 11:24

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Përshëndetje, vuaj nga hernia diskale në fund shpinë. Çfarë duhet të bëj?

Përgjigjet mjekja e përgjithshme: Hernia e diskut/diskale zakonisht ndodh si rezultat i konsumimit gradual, degjenerimit të disqeve të shtyllës kurrizore. Me kalimin e kohës, disqet e shtyllës kurrizore humbasin një pjesë të përmbajtjes së ujit duke i bërë më pak fleksibël dhe më të prirur për të pësuar dëmtim madje edhe rupturë. Disku i prekur nga hernia diskale mund të shtypë nervat që ndodhen pranë duke shkaktuar dhimbje si dhe dobësim apo mpirje të gjymtyrëve, por ka edhe raste kur nuk shoqërohet me asnjë lloj simptome. Shkak i mirëfilltë i shfaqjes së hernies diskale nuk është i mirëpërcaktuar. Mund të shfaqet si rezultat i ngritjes së peshave të rënda dhe rrallëherë mund të vijë edhe nga traumat e shpinës. Faktor risku është mospërgatitja fizike e trupit të njeriut. Shtylla kurrizore nuk përmban vetëm disqet dhe kockat, por përmban ligamentet, përmban muskujt dhe këto krijojnë stabilitetin e shtyllës kurrizore. Njerëzit që nuk bëjnë përgatitje të mirë fizike, kanë dobësim të muskujve, dobësim të ligamenteve dhe qoftë edhe një pozicion i parregullt mund të bëjë që të shkaktohet hernia diskale. Mbipesha është një tjetër faktor. Kjo sepse mbipesha nënkupton që individi gjithë kohës mbart mbi shpinën e tij një peshë rreth mbi 20 kg më tepër. Pra, gjithë kohës shtylla kurrizore është e ngarkuar.

Do t’ju rekomandoja një vizitë më specifike tek neurologu për të pare gjendjen tuaj.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.