MENU
klinika

Çfarë duhet të dini?

Zbritja e TVSH-së/ Tatimet publikojnë rregullat

26.02.2020 - 12:05

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka publikuar rregullat sipas së cilave do të kryhen rregullimet e TVSH-së së zbritur. Sipas DPT, rregullimet mund të kryhen brenda një afati dhjetë-vjeçar për mallrat kapitale të paluajtshme, pesë-vjeçar për mallrat kapitale të luajtshme duke filluar nga data në të cilën mallrat janë blerë ose prodhuar, me kusht që çmimi i blerjes ose kosto e prodhimit të tyre të jetë mbi 500.000 (pesëqind mijë) lekë pa përfshirë TVSH- në.

Rregullimet e kryera mund të rezultojnë ose me derdhjen e një pjese të TVSH- së së zbritur ose me një zbritje shtesë. Në të dyja rastet ato deklarohen në librin e blerjes dhe në rubrikën përkatëse të Deklaratës së TVSH-së, sipas efektit plus (+) ose (-) në zbritje të TVSH-së.

Sipas Tatimeve, asnjë rregullim nuk mund të kryhet për mallrat me koeficient tatueshmërie të barabartë me zero, pra mallra të cilat që në fillim nuk janë përdorur nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë për realizimin e transaksioneve brenda fushës së zbatimit të TVSH.

Rregullimet e zbritjes për mallrat kapitale:
Zbritja fillestare e TVSH-së korrigjohet atëherë kur shfrytëzimi i mallrave kapitale pëson ndryshim që ndikon në të drejtën e personit të tatueshëm për zbritjen e shumës së TVSH-së, që mund të jetë më e vogël apo më e lartë.

Korrigjimi vjetor bëhet vetëm për pjesën e së dhjetës ( p.sh 1/10) e TVSH-së së pasurisë të paluajtshme dhe për pjesën e të pestës (p.sh. 1/5) të TVSH-së të mallrave të tjera kapitale, mbi TVSH-në e mallrave kapitale.

Korrigjimi duhet të bëhet mbi bazat e ndryshimeve të së drejtës së zbritjes për vitet pasuese që ndërlidhen me vitin kur mallrat kapitale janë pranuar(blerë ose prodhuar). Viti kalendarik i papërfunduar do të merret si vit i plotë. Veprimet e rregullimit të zbritjes duhet të pasqyrohen në librin e blerjeve dhe ne kutinë përkatëse të Deklaratës së TVSH-së.

Rast mos rregullimi:
Personi i tatueshëm nuk është i detyruar të korrigjoje zbritjen nëse diferenca e TVSH-së së zbritshme për t’u korrigjuar është më e vogël se 20.000 (njëzet mijë) lekë.