Një histori që tregon se si mund të mbijetosh pa hequr dorë nga ëndrra më e madhe: të bërit futbollist profesionist, pse jo, ndër më të mirët, të paktën në vendin e tij. Ky është rasti i brazilianit 19-vjeçar Gleisson, i cili po ndjek me përkushtim dhe vuajtje ëndrrën e tij.
Kushtet e vështira ekonomike e kanë detyruar atë të ngrihet herët çdo mëngjes. Së bashku me të atin dhe me xhaxhain nisen për të mbledhur arra kokosi. Në kahinën ku jetojnë ata në Brazil, arra e kokosit është e vetmja mënyrë jetese për ta. Pasi mbledh më shumë se 2000 kokrra arrë kokosi, të cilat nuk kushtojnë më tepër se 8 euro, Gleisson bëhet gati të shkojë për në stërvitje.
Në pamundësi për të paguar një biletë transporti, pasi ha atë pak bukë që i takon për vaktin e drekës, niset drejt ambientit ku stërvitet me skuadrën e Petrolina. Djaloshit i duhet të vrapojë dhe ecë 12 km në një temperaturë afro 30 gradë për të mbërritur në stërvitje. Me distancën e përshkruar ai thuajse përmbyll gjysmën e stërvitjes që shokët e tij bëjnë.
Por Gleisson nuk dorëzohet. Ai çdo ditë mbledh arra kokosi dhe shkon në stërvitje. Një histori prekëse e një djaloshi 19 vjeçar, e cila është transmetuar fillimisht nga mediat vendase. Impakti ka qenë i madh, aq sa dy nga lojtarët e Brazilit, Casemiro dhe Dani Alves, dëgjuan për të. Të dy lojtarët i dërguan djaloshit videomesazhe inkurajuese duke e nxitur atë të mos heqë dorë nga ëndrrat e tij.
Madje Casemiro, idhulli i djaloshit, i dërgoi atij një fanellë të Real Madrid me një dedikim mbi të. Në një reportazh dedikuar jetës së Gleisson shfaqen edhe rrëfimet e protagonistëve.
“Ëndrra ime është të jem futbollist dhe t’i jap familjes time një jetë të mirë. T’i largoj ata nga puna në fushë. Frymëzimi i shkëlqyeshëm është një lojtar nga skuadra braziliane dhe Real Madrid: Casemiro. Ai është një djalë që luan shumë, në fushë. Edhe sot, Zidane thotë se është një lojtar kryesor në ekipin e tij”- rrëfen Gleisson.
“Ai është një djalë i përkushtuar, i cili përpiqet të bëjë më të mirën në stërvitje. Është një djalë që ka qenë në prodhim. Jam i sigurt se ai së shpejti do të jetë në një klub të madh futbolli”, – thotë trajneri Higor César i cili e stërvit çdo ditë Gleisson.
“Fol, Gleisson…këtu, folësi është një lojtar nga Verilindja. Dua të them që është një nder dhe kënaqësi e madhe për ne të dimë se ka njerëz që vlerësojnë artin tonë, që vlerësojnë popullin tonë, që vlerësojnë Verilindorin. Dhe ne, si përfaqësues të Verilindjes, jemi shumë të lumtur”– ishte mesazhi i Dani Alves.
“Nëse ti tani bën 12 km në këmbë, bëj edhe 15, bëj dhe 20 km, sepse mendoj se duhet të shkoni pas ëndrrës tënde. Faleminderit për dashurinë, ti do të jesh një futbollist i shkëlqyer”- ishin fjalët e Casemiro-s për 19-vjeçarin.