MENU
klinika

Çfarë pritet?

Amnistia fiskale/ Civici: Ndikim pozitiv në investime dhe konsum

04.03.2020 - 12:52

Amnistia fiskale dhe penale e shpallur nga qeveria dhe që pritet të shkojë në parlament për miratim është një nga ato masat me spektër dhe veprim shumë të gjerë. Vlerësohet që shumë asete financiare e bankare ose të llojeve të ndryshme vijojnë të jenë në informalitet, pavarësisht nga origjina e tyre e ndryshme që mund të jetë thjeshtë para informale apo me origjinë të dyshimtë apo edhe kriminale.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici në një intervistë për ATSH-në shprehet se amnisti fiskale të këtyre përmasave në parim nënkuptojnë faktin që një pjesë e konsiderueshme e parave të grumbulluara nga biznesi kryesisht, të pa deklaruara të vijnë të vendosen në sistemin bankar. Natyrisht kundrejt disa penaliteteve që duhen parë se në çfarë mase do të jenë. Sipas tij, edhe vende të tjera si, Zvicër, Francë, Itali, etj, kanë bërë herë pas here amnisti fiskale të këtyre përmasave. Deri tani, shpjegon ai, ne kemi bërë falje fiskale ose amnisti të pjesshme, por me sa kuptohet me aq informacion sa kemi deri tani, bëhet fjalë për një amnisti fiskale dhe penale me përmasa të gjera, të mëdha, që me siguri do të ketë efekte të konsiderueshme.

“Shumë para që deri tani kanë qenë në hije, informale, të fshehura do të deklarohen dhe ndikimi i tyre duke investuar direkt në ekonomi apo duke ndihmuar konsumin, ka efekte të mëdha”, thotë Civici. Sipas tij, kjo amnisti do të kishte një ndikim pozitiv edhe te biznese të mëdha, pasi sa më tepër të jesh në informalitet, aq më shumë do të shkosh drejt informalitetit. “Këto quhen edhe pastrime apo këputje fiskale dhe në një moment “A”, ti e rinis duke qenë komplet legal në aktivitetin tënd, duke përfshirë edhe pjesën financiare, monetare ose asetet”, bën të ditur Civici.

Për t’u diskutuar, sipas Civicit, mbetet se deri në çfarë niveli do të jetë konsensusi politik për ta bërë këtë. “Do të mbetet vetëm një vullnet i maxhorancës me një qëndrim neutral apo kundërshtim të opozitës apo do të ketë një votim më të gjerë, në mënyrë që të ketë edhe vazhdimësi dhe mos të ketë kundërshti siç është traditë në Shqipëri”,- shprehet ai. Së dyti, thotë ai, janë të gjithë modalitetet për t’u parë, si kategoritë e aseteve, depozitave njerëzit, individët bizneset, korporatat, profesione të ndryshme, emigrantë apo jo, cilat pranohen e cilët përjashtohen dhe pastaj duhet ngritur edhe baza ligjore dhe afatet që besoj se do të jenë disa mujore, sepse me këto përmasa që ka amnistia nuk mund të bëhet sot për nesër.

Ajo që është shqetësuese dhe problematike dhe në vende të tjera që kanë bërë amnisti të këtyre përmasave, sipas Civicit, është fakti se çdo të ndodhë të nesërmen kur mbaron afati. “Çështja nuk është vetëm të thuhet që ata që nuk e zbatojnë do të ndëshkohen, se natyrisht kjo është normale kur nuk zbaton një ligj. Por çfarë ndryshimesh ligjore dhe institucionale do të bëhen që të mos shkojmë sërish në informalitet”, thekson Civici. Dhe zakonisht, vijon ai, eksperienca e vendeve të zhvilluara ka treguar që të nesërmen e këtyre amnistive janë marrë masa drastike, jo vetëm ndëshkuese, por edhe institucionale, rregulluese që ky proces mos të ndodhë.

“Sepse nëse futesh në një proces të tillë, shumë njerëz që janë korrekt dhe në formalitet do të tërhiqen drejt informalitet, pasi do të gjykojnë se këto persona apo biznese që u formalizuan, më ka bërë konkurrencë të pandershme dhe ja ku u formalizuan. Po bëj edhe unë të njëjtën gjë dhe po pres amnistinë tjetër”, thotë eksperti i ekonomisë. Pra, nënvizon ai, duhen parë të dy anët. “Aq sa është e rëndësishme paketa e amnistisë, paketa e ndëshkueshmërisë për ata që nuk realizojnë këtë proces duhet të shoqërohet edhe me një paketë rregullatore të të gjithë mënyrës së funksionimit të tregjeve financiare e monetare që të eliminohet në perspektivë krijimi i një situate tjetër ku duhet të bësh një amnisti”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN