MENU
klinika

Ndikimi i tyre në ekonomi

Ballkan/ Firmat “fantazmë” marrin subvencione shtetërore?

08.03.2020 - 12:34

Fabrika e aluminit në qytetin Mostar të Bosnjes ka rënë në heshtje që kur i ndërprenë energjinë elektrike në Korrik 2019. Të vetmit vizitorë tek fabrika, që ka qenë dikur një kompani model në ish-Jugosllavinë, janë punëtorët që firmosin largimin e tyre nga puna.

Mbyllja e “Aluminij Mostar” është një shembull i sfidave që përballen vendet në Ballkan, ndërkohë që përpiqen të mbajnë “gjallë” bizneset shtetërore me humbje, të trashëguara nga periudha komuniste, në ekonomi ku duhet të mbizotërojë kërkesa dhe oferta. Rënia e gjigantit të aluminit tregon se si 25 vite pas përfundimit të luftës në Bosnje, ndarjet etnike, qeverisja e dobët e korporatave dhe korrupsioni, po pengojnë ekonominë.

Ndërkohë që mbyllja mund të jetë e vetmja alternativë e shumë firmave ballkanike të mbështetura nga subvencionet shtetërore, liderët lokalë kanë treguar gatishmëri në shpëtimin e bizneseve, që janë edhe punëdhënës të mëdhenj në një rajon ku vetëm 44% e popullsisë në moshë pune janë të punësuar. Përveç 900 personave staf, Aluminij ofronte punë për mbi 10,000 persona në zinxhirin e furnizimit dhe mbështeste hekurudhën lokale, kompaninë e energjisë dhe portin kroat të Ploce.

Në Bosnje, vlera e aktiveve të mbajtura nga firmat shtetërore vlen sa Produkti i Brendshëm Bruto i një viti. Në Kroaci dhe Serbi, kjo normë arrin në 90% dhe 70% respektivisht, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo bën kontrast të madh me Bashkimin Europian, ku vlera e firmave të mëdha shtetërore arrin në më pak se 30% të PBB në shumicën e vendeve dhe zbret poshtë 10% për Gjermaninë, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Barrë” për ekonominë
Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe investitorët e mundshëm, i shohin këto firma të zotëruara nga shteti në Ballkan si barriera ekonomike, që keqshfrytëzojnë paratë e taksapaguesve, pengojnë konkurrencën dhe shërbejnë si fole për punësimin e të afërve të politikanëve. “Kjo situatë nuk është e qëndrueshme dhe pengon në mënyrë serioze sektorin privat dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”, tha Zsuzsanna Hargitai, shefja për Ballkanin Perëndimor tek Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ajo vlerëson se mbështetja e kompanive shtetërore jo-efiçente i kushton Serbisë, ekonomisë më të madhe të rajonit, 2% të prodhimit kombëtar në vit. Ndërkohë që Beogradi ka shitur një fabrikë të çelikut dhe një minierë të bakrit ndaj kompanive kineze, vendi subvencionon ende 9 biznese, që punësojnë sëbashku 15,000 persona.

Vetëm kompania “Resavica Coalmine” merr 42 milionë dollarë në një vit. Në Kroaci, prodhuesi i metalave që ndodhet në humbje, Djuro Djakovic, ku shteti mban 38% të aksioneve, po kërkon ndihmë për detyrimet e pagave. Qeveria më në fund ofroi një garanci prej 44 milionë dollarë për të ndihmuar kompaninë dhe shmangur protestat në Slavonia, lindjen e varfër të vendit. Në Bosnje dhe Herzegovinë ekzistojnë gjithashtu disa firma të zotëruara nga shteti, që hasin vështirësi. Fondi Monetar Ndërkombëtar theksoi vitin e kaluar se shumica e tyre ndodhen në formë të dobët financiare dhe reformat e tyre mund të nxisin PBB të Bosnjes me 3% në vit. Megjithatë, historia e Aluminij tregon se sa i vështirë është procesi i reformimit të këtyre kompanive.

E themeluar në vitin 1981 nën ekonominë e centralizuar të Jugosllavisë, Aluminij furnizonte sektorët lokalë të makinave dhe avionëve. Fabrika u shkatërrua gjatë luftës së vitit 1992 dhe u rindërtua më vonë në territorin e mbajtur nga kroatët. Për rrjedhojë, kur u rihap në vitin 1997, vetëm punëtorët kroatë u lejuan të riktheheshin në vendet e tyre të punës. Shkrirja e aluminit harxhon shumë energji elektrike, por subvencionet e mëdha në energji që ka marrë nga Kroacia dhe kompania kroate “Elektroprivreda”, e bënë të dukej si një prodhues i suksesshëm. Aluminij kishte fituar reputacion si firma që jipte pagat më të mëdha në Bosnje.

Sipas raporteve lokale, paga mesatare qëndronte në 900 euro, në një periudhë ku mesatarja për Bosnjen ishte 440 euro. Disa manaxherë tek fabrika merrnin mbi 10,000 euro në muaj. Megjithatë, pavarësisht subvencioneve, Aluminij po pësonte humbje, prej rritjes së kostove të lëndëve të para dhe rënies botërore të çmimeve të aluminit nga viti 2014. Mes viteve 2014-2017, detyrimet e kompanisë u dyfishuan në 208 milionë dollarë, apo në 2% të prodhimit kombëtar. Thuajse ¾ e borxhit përbëhej nga fatura të papaguara të energjisë ndaj “Elektroprivreda HZHB”, që ka hasur vështirësi për të vazhduar aktivitetin për vete.

Partia vjen e para!
Damir Novotny, manaxheri i firmës së konsulencës T&MC, tha për Reuters se fajin e dështimit të Aluminij e kishte manaxhimi, pasi ishte zgjedhur për besnikëri etnike dhe politike kroate, e jo prej konkurrencës. “Edhe energjia elektrike poshtë çmimeve të tregut nuk do të siguronte vazhdimin e mbijetesës së kompanisë së vjetëruar”, tha ai. Manaxherët kanë qenë të afërt me partinë Unioni Demokratik i Kroacisë (HDZ), diçka që replikohej edhe nga grupe të tjera në Bosnje por edhe në shtetet ballkanike, ku për manaxherët shpeshherë lidhja politike ishte më e rëndësishme se konkurrenca. Ndërkohë që kompania është drejt falimentimit, Bosnja kërkoi për një partner. Gjiganti i minierave në të gjithë botën, Glencore dhe një konsorcium izraelo-kinez i drejtuar nga kompania në Tel Aviv, “M.T Abraham Group”, kanë shfaqur interes.

“Të gjithë investitorët e interesuar kërkojnë të njejtën gjë: çmime të energjisë elektrike të subvencionuar dhe garanci shtetërore për të gjithë kreditë në të ardhmen”, tha Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Nermin Dzindic. Glencore u tërhoq nga bisedimet në muajin Korrik dhe firma izraelite konfirmoi se oferta e parë ishte refuzuar nga Qeveria. Si do që të jetë fati i Aluminij, qeveritë në ballkan përballen me zgjedhje të vështira për biznese të tilla: të vazhdojnë të pranojnë humbje në buxhet nga këto firma, apo të ndërmarrin hapa të dhimbshëm si shkurtime të vendeve të punës ose ndërprerje të aktiviteteve. Banka Botërore dhe organizata të tjera pranojnë se perspektiva e anëtarësisë në BE përbën një incentivë për politikanët, që të ndërmarrin reforma të vështira. Megjithatë, këto shpresa janë shuar për momentin. Në Korrik, presidenti francez, Emmanuel Macron tha se aplikimet nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe shtete të tjera ballkanike do të ndalojnë, deri sa Bashkimi Europian të riorganizojë strukturën. Zyrtarët po presin tashmë për samitin e muajit Maj, për sinjale më premtuese nga Brukseli.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN