MENU
klinika

Kush do t'i zotërojë?

Bursa shqiptare e Energjisë do ketë 250 mln lekë kapital

02.03.2020 - 14:01

Në vitin 2019 është vendosur krijimi i Operatorit të Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), si struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar nëpërmjet platformës së tregut, i cili do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri, në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga “Operatori i Sistemit të Transmetimit” sh.a. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur procedurën konkurruese për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në kapitalin e Operatorit të Tregut të Energjisë ose e thënë ndryshe Bursa Shqiptare e Energjisë.

Përzgjedhja e personave të tjerë juridikë që do të bëhen pjesë në strukturën e pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut (përveç “Operatorit të Sistemit të Transmetimit” sh.a.-OST sh.a.) do të kryhet përmes procedurës konkuruese përzgjedhëse, nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Ministri i MIE dhe Ministri i MFE.

Referuar shpalljes, raporton Scan, kapitali fillestar i shoqërisë do të jetë 250 milionë lekë dhe është i ndarë në 250 mijë aksione me vlerë nominale 1 mijë lekë secili. Çdo aksion ka vlerë të barabartë. Numri i aksioneve në dispozicion të subjekteve që mund të jenë pjesë e strukturës së pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut, do të jetë:

  • Operatorë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike-TSO (përjashtuar OST sh.a.)-51 mijë e 250 aksione, ekuivalent me 20,5 % të kapitalit aksionar;
  • Operatorë me Eksperiencë Ndërkombëtare-OEN-61 mijë e 250 aksione, ekuivalent me 24,5 % të kapitalit aksionar
  • Pjesëmarrës në Tregun e Energjisë Elektrike-PTE-25 mijë aksione, ekuivalent me 10 % të kapitalit aksionar);
  • Institucione Financiare Ndërkombëtare-IFN-të-25 mijë aksione, ekuivalent me 10 % të kapitalit aksionar.

Secili pjesëmarrës duhet të paraqesë vetëm një propozim vetëm për një kategori te sipërpërmendur.
Numri i aksioneve të rezervuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit sh.a.-OST sh.a. do të jetë 87 mijë e 500, ekuivalent me 35% e kapitalit të shoqërisë së Operatorit të Tregut. Afati kohor për dorëzimin e propozimeve nga subjektet e interesuar për të marrë pjesë në procedure është data 27 prill 2020, për secilin pjesëmarrës sipas kategorive ku marrin pjesë, orari do të jetë si më poshtë vijon:

  • Institucione Financiare Ndërkombëtare-IFN-të ora 12:00;
  • Operatorë me Eksperiencë Ndërkombëtare-OEN ora 12:30;
  • Operatorë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike-TSO ora 13:00;
  • Pjesëmarrës në Tregun e Energjisë Elektrike-PTE ora 13:30.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hidhet një hap i rëndësishëm

Bursa shqiptare drejt hapjes për sektorin privat