Koronavirusi preku Shqipërinë, teksa u konfirmuan dy raste dhe Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për mospërhapjen e tij. Një prej tyre është edhe urdhri për të ndaluar të gjithë aktivitetet sportive, duke vënë në rrezik dy ndeshjet e sotme, Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani.
Por mësohet se këto dy ndeshje do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë është mbyllja e të gjithave aktiviteteve sportive dhe jo vetëm, por FSHF dhe Qeveria kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të mbyllur ndeshjet e javës së 26-të dhe më pas pritet të mësohet se si do të procedohet me ndeshjet e dy javëve të ardhshme, pasi qeveria ka urdhëruar që ndalesa do të jetë deri më 3 prill.
Kështu, deri në një urdhër të dytë futbolli në vendin tonë do të mbetet pezull. Kujtojmë që, përveç dy javëve të tjera deri më 3 prill, në mes është edhe Kupa e Shqipërisë. Nuk dihet ende nëse do të veprohet si në Itali, ku ndeshjet e luajtën pa publik.