MENU
klinika

Pengu i '97-ës...

“Don Zhuani” i Artan Imamit vjen pas 24 vitesh

03.03.2020 - 17:29

Kanë kaluar 24 vjet që atëherë. Koha solli ngjarje, mori njerëz, zbuloi të tjerë, Miss-et janë shndërruar në zonja, por ka ca tipare që udhëtojnë në kohë dhe mbeten po aq aktuale, jo thjesht si 24 vjet më parë, por edhe si 3 apo 4 shekuj të shkuara.

Sepse natyra njerëzore është e tillë, ripërsëritëse. Ndryshojnë vetëm metodat, ndërsa thelbi mbetet po ai. Ishte viti 1996, kur Artan Imami sprovoi veten në regji, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë tragjike, “Don Zhuani”. Një vepër e jashtëzakonshme e Molierit, që bëri bujë dhe u ndalua në kohën e vet, pasi përmes personazheve të tij godiste kishën. Don Zhuanin e “mbajti” për vete. Tashmë e kishte korrur suksesin me “Zbutjen e kryeneçes” dhe deri diku ishte i familjarizuar me karaktere të “vështira”, veçse këtë herë nuk do të duhej të zbuste një kryeneçe, por ishte ai që duhej “zbutur”. Pas 24 vjetësh, si për të shlyer një peng, pse asokohe shfaqja e veprës së tij u ndërpre nga trazirat e vitit të marrë 1997, Artan Imami i rikthehet sërish “Don Zhuanit”.

Sërish Don Zhuan, regjisor, madje edhe skenograf. Premiera e veprës do të jetë në datën 6 mars, në skenën 400 të “arTurbinës”. Në rolin e regjisorit, ai premton një shfaqje mbështetur në simbolika të fuqishme, që nuk vizaton vetëm portretin e një gruari, një fisniku të shthurur ateist, që nuk lodhet duke vrapuar nga njëra aventurë dashurore te tjetra, pa gjetur asnjëherë paqe.

Përkundrazi, i neveritur nga mishi, ndërsa nxiton te një tjetër histori, te një tjetër grua, fati i së cilës nuk do të jetë më i mirë se i paraardhëses. Artan Imami synon të “zhveshë” hipokrizinë politikoshoqërore të kohërave që jetojmë, shënjuar nga mashtrimi, raportet e dyshimta dhe sipërfaqësore.

Ngjarjet do të zhvillohen në një ambient, që i ngjan një mauzoleu. Janë historitë e dashurive ngurosur nëpër mure, të cilat do të donin të shpëtonin prej kësaj gracke të thurur mjeshtërisht nga një njeri, jo i pashpirt, por tragjik. Kësaj skene do t’i përshtaten edhe kostumet, të cilat ai ia ka besuar as më pak e as më shumë, por bashkëshortes së tij, Florenca Bellova.

AKTORËT:
Asokohe, Artan Imami do të bënte një zgjedhje të guximshme për rolin e Dona Elvirës, bashkëshortes zemërthyer, të tradhtuar, të braktisur, që kërkon hakmarrje me çdo kusht. Ose për çështje komerciale (se asokohe Misset ishin ende në modë), ose për një kapriçio, ia beson atë Valbona Selimllarit, e cila do ta niste e do ta mbyllte karrierën e saj si “aktore”, pikërisht në atë skenë. Kësaj here Imami nuk rrezikon, përkundrazi, ai e siguron një pjesë të suksesit të veprës së tij ende pa filluar.

Rolin e Dona Elvirës ia beson aktores Luiza Xhuvani, e cila i rikthehet skenës së teatrit ndarjes nga jeta të së shoqit, në muajin gusht. Vite të shkuara, në rolin e Sganarelit, shërbëtorit të Don Zhuanit, një lloj alterego e të zotit të tij, një lloj tjetër Sanço Pançoje, interpretonte aktori Roland Trebicka, i ndarë nga jeta disa vite më parë. Kësaj here Imami ia ka besuar Xhejni Famës, një aktori karakteresh, të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Rolet që dikur i luante Inis Gjoni dhe Ema Andrea, këtë herë do t’i luajnë Dajana Nenaj e Alesia Xhemalaj. Po ashtu, në rolet e Gazmend Gjokës, Vangjel Toçes e Fadil Kujofsës interpretojnë emra si Genti Deçka, Donald Shehu e Xhuliano Brisku, një brez aktorësh që po krijojnë karakteret e tyre të plota në skenat teatrore. “Don Zhuani” po ngjitet në skenën teatrore në kohëra të vështira.

Duket se “rreziku” e përndjek këtë vepër, e megjithatë, ashtu si edhe “Mashtrimi”, një tjetër vepër e ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar nga Artan Imami dy vjet e gjysmë më parë, po në kohëra të turbullta, edhe kryevepra e Molierit do të gjejë rrugën e vet për te publiku.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit