MENU
klinika

Italia ka bërë shumë për ne!

Falë afërsisë me Italinë Shqipëria ia doli të shkëputej nga fryma osmane…

30.03.2020 - 19:07

Italianët qenkan mrekulluar me gjestin e Shqipërisë që dërgoi një ekip mjekësh e infermierësh për t’u ndihmuar në luftën kundër coronavirusit. Edi Rama veproi mençur që e bëri këtë gjest, i cili, më shumë se ndihmë, dërgon një mesazh moral, mesazhin e kujtesës.

Italia ka bërë shumë për Shqipërinë, në rrethana dhe epoka të ndryshme historike.

Në kohën e pushtimit osman, në Itali gjetën strehim e tokë qindra mijëra shqiptarë. Ata krijuan diasporën e parë shqiptare në botë, e cila ruajti identitetin e saj, pa qenë e cënuar asnjëherë nga asimilimi, dhe në shekullin e XIX ajo u bë çerdhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Italianët ishin ata që hodhën hapat e parë në modernizimin urban të Shqipërisë. Pjesa më e bukur e Tiranës, sheshi dhe arkitektura klasike rreth tij, janë investim italian. Në vitet 90-të, Italia u bë përsëri bregu i shpresës për mijëra e mijëra shqiptarë që po iknin nga mjerimi total, në të cilin i kishte zhytur regjimi komunist.

Falë afërsisë me Italinë Shqipëria ia doli të shkëputej nga fryma osmane, shumë më shpejt se pjesët tjera të kombit shqiptar.Ishin po italianët të cilët e mbështetën politikisht dhe e armatosën organizatën e parë çlirimtare të Kosovës, “Komitetin Mbrojtja Kombëtare Kosovës”, në vitin 1919.

Shkolla e parë shqipe në Kosovë, e themeluar në Stubëll të Vitisë, u mbështet financiarisht po nga italianët. Dhe gjithë kjo histori nuk përfundon këtu. Ajo zë faqe të tëra në histori.

Nga Blerim Latifi