MENU
klinika

"Quo Vadis" burra?

Çfarë nëse femra të kundërshton “dëshirat”?!..

05.03.2020 - 13:20

       Artistja kosovare Adriana Marku Sejdaj, ka çelur së fundmi, ekspozitën “Quo Vadis”. Shkas për natyrën e kësaj ideje ekspozeje, sikurse është shprehur autorja për mediet, është patriarkalizmi dhe dhuna ndaj gruas. Shoqëria shqiptare, ajo në Kosovë dhe Shqipëri, njëlloj vazhdon të jetë shumë e ekspozuar ndaj kësaj plage./Konica.al

Ekspozita “Quo Vadis” e çelur në ambientet e Galerisë së Fakultetit të Arteve në Kosovë, është një zë më shumë kundër abuzimeve seksuale dhe mendësisë patriarkate, dominante në shoqërinë shqiptare.

Autorja vjen me 21 piktura, dy instalacione dhe një skulpturë, ku vjen në fokus organi femëror, si revoltë dhe protestë kundër abuzimit apo mendësisë që dominon në vendet dhe shoqëritë primitive.

“Duke parë realitetin në shumë vende të botës, po ashtu edhe në vendin tim, dukuria e abuzimeve seksuale, mosrespektimi i femrës si një qenie e rëndësishme për një shoqëri të shëndoshë, nuk e ka kursyer as atë! Duke dashur ta prek këtë fenomen, pra abuzimin, por edhe të shfaq kundërshtinë time si artiste, zgjodha pikërisht organin femërorë si semiologji”, – ka thënë ajo, për mediet.

Ajo është shprehur, se artistin e konsideron si një kategori të ndjeshme, i cili, në shoqëri, pa marrë parasysh sesa e zhvilluar është ajo, nuk mund të jetë indiferent kundrejt dukurive negative shoqërore. Duke konsideruar gruan, dashurinë dhe jetën si një trinom që e fisnikëron shoqërinë, artistja konsideron abuzimin me të, si vrasje të shoqërisë.

“Pra, pikërisht edhe protestoj për shenjtërinë e saj dhe abuzimit ndaj saj, kur e dhunojnë, fatkeqësisht shpesh dhe në emër të dashurisë”, – vlerësoi artistja. “Jeta është me dashtë, pa dhunë, pa abuzim, pa kushtëzim. Jeta është lule, bimë e saj është vagina, që fal frymë dhe zgjim’, -u shprej ajo.

“Quo Vadis” vijon të mbledhë sytë kureshtarë mashkullorë, deri më 15 mars, pranë Galerisë së Fakultetit të Arteve në Kosovë.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al