MENU
klinika

"Skllevër të një virusi s’mund të bëhemi kurrë!"

Filozofi në kohën e…coronarizmit

17.03.2020 - 14:05

*Prof.As.Dr. Stavri Sinjari

Këto ditë të vështira që po kalojmë, do të mbahen mend gjatë, në memorjen tonë. Për herë të parë, njerëzimi i fillimshekullit 21. është përfshirë në një “luftë” me përmasa mbarë botërore kundër një virusi mikroskopik, të padukshëm me sy të lirë, agresiv, që “ushqehet” me jetë njerëzish. “Ushtria” miliardëshe e këtij armiku disi imagjinar, mund të mblidhet e të shtypet me grushtin e dorës të një njeriu të vetëm, por shumë e vështirë të mundet nga njerëzimi me gjithë potencialin e vet ekonomik e ushtarak.

Luftë që do të mbahet mend, jo si fitore e një shteti apo kombi ndaj një tjetri, si në dy luftrat botërore të shekullit të kaluar, por si një fitore e shoqërisë njerëzore me vehten e vet! Fundi i kësaj lufte mbarë botërore do të renditet në histori si fitorja më e madhe e të gjitha luftrave, sepse do të dëshmojë lartësinë e evoluimit të racës njerëzore, epërsinë e qenieve të arsyeshme mbi gjithçka, sigurinë e vazhdimësisë humane në planetin Tokë.

Lufta ka nisur, me armë e pa armë, me rregulla apo pa rregulla, me dhe pa humbës e fitues. Një paradoks i rrallë dhe i vërtetë! Përngjan si një serial fantastik filmash hollivudian, sikur jemi të ngulitur para ekranit të TV-së, si spektatorë e si aktorë të kësaj lufte. Sapo kemi arritur në episodin final, në serinë e fundit, ku po kuptojmë se, fundi i luftës apokaliptike midis njerëzimit dhe qenieve pajetë është mbi të gjitha, ndeshje e njeriut me vetvehten. Arma më efikase në këtë luftë është kufizimi vullnetar i lirisë, vetngujimi, solidariteti, kufizimi i lëvizjeve, kontakteve, komunikimit, regjimi, higjiena, terapia…duke hedhur një hap drejt një steriotipi të ri në mënyrën e jetesës për të ardhmen! Ky hap, më tepër se të quhet fitore, është progres, ndryshim drejt diçkaje që na bashkon si qenie humane, mësim i madh për t’u përballur me tekat tona e të natyrës në të ardhmen.

Edhe çmimi i fitores kundrejt një virusi vrasës, duket si paradoks. Jemi përgatitur me buxhete të fryra ushtarake për luftra ndaj njeri tjetrit, ndërsa tani kemi një armik të përbashkët, që e kemi pagëzuar me emrin Coronavirus. Tragjeditë njerëzore, ndalja e prodhimit, humbjet tregtare, shpenzimet ushtarake…janë thjesht shifra me disa apo dhjetra zero.

Por kur papritu rrethohemi dhe pushtohemi kaq shpejt dhe lehtë nga një armik i panjohur, mikroskopik, pse të mos brengosemi për objektivat e investimeve tona?! Nëse sakrificat bëhen për të mbrojtur lirinë dhe jetën a ia vlen të llogariten shpenzimet? Jeta dhe liria, nuk kanë çmim që të maten. Përvoja historike ka treguar se liria “paguhet” me jetë, madje në të shumtën e rasteve bëhet edhe më e shtrenjtë se vet jeta. Duket si paradoks fakti që japim jetën për lirinë dhe vetsakrifikojmë lirinë për të mbrojtur jetën. Por në fakt nuk është kështu. Liria mungon atëherë kur ta marrin me dhunë, të detyrojnë të përulesh dhe të shndërrohesh në skllav, njeriu që skllavëron njeriun! Por kur lirinë e ke, e shijon, e përjeton, kur askush, asnjë forcë sociale, autoritare, politike, nuk ta kufizon për qëllime sundimi, atëherë arrijmë të kuptojmë se çmimi i jetës është parësor në një shoqëri të vërtetë njerëzore. Ky qëllim po na bashkon si kurrë ndonjëherë, si popuj, kombe, shtete, në radhë të parë, si qenie të arsyeshme.

Dhe kur japim shembuj real se dimë të veprojmë pozitivisht si bashkësi, se mund të unifikojmë objektivat e të llogarisim pritshmëritë, të përballojmë pasojat sido që të jenë ato në një shoqëri të barabartë, pa kufij, pa diskriminim, atëherë ndjehemi më të lirë se kurrë, lumturohemi e krenohemi se jemi njerëz, ku sipas Kipling:“…jemi veç një hiç në pafundësi, kemi një dhuratë, jetën si njeri!”. Ndoshta ka ardhur koha t’u japim një kuptim më të plotë e të saktë disa koncepteve, për jetën, njeriun, lirinë… në kushte të reja.

E ndërsa mendojmë për t’ardhmen, të sigurtë se do të jetë shumë më e mirë se e tashmja, na
vjen ta vlerësojmë cilindo njeri, si një gjysmëperëndi, si Prometeu i lidhur në shkëmb, prej zemërimit të Zeusit për zjarrin që u dha njerëzve, ku çdo ditë një shqiponjë i çukiste mëlçinë. Edhe ne me të drejtë do bërtasim, duke iu drejtuar qiellit me krenari:

Dije mirë se skllav unë s’bëhem,
Me robërinë s’i këmbej këto brenga,
Më mirë kështu, pas shkëmbit lidhur,
Se sa të bëhem skllav i Zeusit.
E pra, skllevër të një virusi s’mund të bëhemi kurrë!