Zhvillimi ekonomiko-shoqëror në trevat arbërore gjatë Mesjetës çoi në mënyrë të natyrshme në lindjen e shtresës feudale vendase, të cilat hynë për interesat e tyre në marrëdhënie herë me anzhuinët e herë me Bizantin por dhe me mbrëtërinë serbe. Ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit, fisnikët arbër e shprehnin përmes titujve bizantinë, serbë dhe perëndimorë që mbanin. Territoret që ata zotëronin kishin nevojë për mbrojtje. Por dhe sunduesit kishin nevojë të krijonin marrëveshje me zotërinjtë më të vegjël. Detyrën e vështirë e merrnin përsipër familjet më të fuqishme që kishin një rang të rëndësishëm shoqëror.
Sipas profesor Nikollë Loka, kur erdhën anzhuinët në Shqipëri, Blinishtët ishin një familje e fuqishme feudale, madje një nga familjet më të mëdha e më të njohura të vendit tonë që gëzonte privilegje speciale.
Blinishtët, si dhe familjet e tjera princërore arbërore mbanin një oborr në të cilin shkonin e vinin të mëdhenjtë e kryetarët, ministrat e financave dhe kancelarët. Në shkresat që ata dërgonin përdoreshin tre gjuhë kryesore që ishin:latinisht, greqisht dhe sllavisht.
Oborri i princërve Blinishtë ka pasur jo vetëm nëpunës laikë por ka përfituar edhe shërbimet e klerit katolik që përkthente takimet e rëndësishme me zyrtarët e huaj dhe tregëtarët.
Sipas profesorit Loka, Blinishtët zotëronin territoret midis Gjadrit në Perëndim, Malit të Shenjtë në Lindje, Arrësit në Veri dhe Ndërfanës në Jug. Pra të gjitha territoret e Mirditës së sotme. Me shtimin e fuqisë së tyre ato do e shtrijnë sundimin mbi territore dhe më të gjëra që do të shtriheshin nga Mirdita në Ulqin dhe Danjë.
Studiuesit mesjetarë i kanë quajtur Blinishtët fisnikë të fuqishëm të Mbretërisë së Arbërisë. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre ata mbajtën titujt më të lartë dhe ushtruan funksione të rëndësishme. Tre fisnikët më të njohur të kësaj familjeje janë Vllado, Guljelmi dhe Kalojani.
Sipas profesorit këtu duhet vënë re një tipar shumë i rëndësishëm që tregon ngjyrat e kohës. Të tre ka njëri emër serb, i dyti bizantin dhe tjetri perëndimor. Një dëshmi e qartë e politikës së kohës dhe përplasjeve kaq të njohura të këtyre shteteve gjatë kësaj periudhe.