MENU
klinika

Tomas Hobs

“Frika dhe unë kemi lindur bashkë”

26.03.2020 - 09:30

Tomas Hobs njihet ndryshe edhe si ati i filozofisë politike moderne. I lindur parakohe, filozofi pati një jetë të gjatë 91-vjeçare, kushtëzuar kjo edhe nga ngjarjet politike të Anglisë dhe Skocisë. Në njëfarë mënyre, ai ka përcaktuar termat e debatit të sotëm lidhur me problemet themelore të jetës politike, sepse vijojmë të jetojmë në një botë, që ka nevojë ta përligjë autoritetin njerëzor. Metoda filozofike e Hobsit është e modeluar sipas provave gjeometrike, bazuar në disa parime parësore dhe në përkufizime, përmes të cilave, ai nxjerr përfundime hap pas hapi. Asokohe, shkencëtarët besonin, se Perëndia e kishte krijuar gjithësinë sipas parimeve gjeometrike dhe se gjeometria mund të zbulonte natyrën njerëzore. Hobs sugjeroi edhe vlerësimin e trurit si një sistem llogaritës, si një makinë e aftë të punojë me fjalët përmes operacioneve aritmetike, duke i paraprirë kështu shkencës kibernetike./Konica.al

Gjendja natyrore e njerëzimit, siç shihej nga Hobs, ishte një luftë e përhershme e secilit njëri me tjetrin. Kjo gjendje natyrore u tejkalua vetëm falë ndërhyrjes së një pale të tretë të përbashkët që garanton respektimin e marrëveshjes për të jetuar në një gjendje paqeje. Kjo palë e tretë, që është shteti apo Leviatani në gjuhës hobsiane, është e vetmja që mund të garantojë daljen nga gjendja e frikës së përhershme që është gjendja natyrore. Nxjerrja e Perëndisë dhe moralit të krishterë jashtë shoqërisë njerëzore dhe shpjegimit të saj, e bën teorinë politike të Hobsit themelin e shkencave politike moderne.  “Leviatani” argumenton se paqja civile dhe njësia shoqërore arrihen më mirë nga kontrata shoqërore. “Gjendja e natyrës” është një gjendje lufte, e cila krijohet vetvetiu, mjafton që një njeri i vetëm të shkelë rregullin e përgjithshëm. Pra, kuptimi i Hobsit për njeriun nuk është se njeriu është patjetër i keq nga natyra, por se paqja në gjendjen natyrore mund të cënohet lehtë edhe nga një njeri i vetëm./Konica.al

Natyra (arti me anën e të cilit, Perëndia ka bërë dhe qeveris botës) imitohet në këtë fushë, si dhe në shumë të tjera, nga arti i njeriut, i cili mund të prodhojë një kafshë artificiale.

Ligjet natyrore, duke qenë të përjetshme e universale, janë të gjitha hyjnore. Perëndia mund të urdhërojë dikë në mënyrë të mbinatyrshme që t’ua shpallë ligjet njerëzve të tjerë. Mrekullitë janë vepra që nuk i rrok mendja, por ajo që është e pakapshme për dikë mund të mos jetë e tillë për një tjetër. Fatmirësitë e dukshme të kësaj bote, në shumicën e rasteve janë vepër e Perëndisë e ardhur përmes shkaqesh natyrore e të zakonshme. “Zoti mbretëron, le të gëzojë toka”, thotë psalmisti. “Zoti mbretëron, le të dridhen popujt; ai është në fron midis kerubinëve, le të tundet toka”. Duan a s’duan njerëzit, ata janë gjithmonë të detyruar t’i nënshtrohen pushtetit hyjnor. Nënshtetas të Perëndisë janë vetëm ata që besojnë se ka një Perëndi që e drejton botën, që ka diktuar rregulla, që ka vendosur shpërblime e ndëshkime për njerëzimin. Fjala e trefishtë e Perëndisë është arsyeja, zbulesa dhe profecia. Në zinxhirin e jetës në mbretërinë natyrore të Perëndisë dhe ligjet natyrore të tij, një hallkë e rëndësishme janë edhe ndëshkimet natyrore për ato veprime në zinxhirin e pasojave të të cilave ka më shumë të këqija, sesa të mira. Kështu, mospërmbajtja dënohet nga natyra me sëmundje; nxitimi me fat të keq; padrejtësia me dhunën e armiqve; krenaria me rrënim; të qenit frikacak me shtypje; qeverisja e shkujdesur e sundimtarëve me rebelim; dhe rebelimi me gjakderdhje.

Duke qenë se ndëshkimet vijnë pas shkeljes së ligjeve, ndëshkimet natyrore duhet të vijnë në mënyrë të natyrshme pas shkeljes së ligjeve natyrore, pra vijnë pas tyre si pasoja natyrore e jo arbitrare. Në fakt, të vërtetat që nuk vijnë në kundërshtim as me leverdinë, as me kënaqësitë e njeriut mirëpriten nga të gjithë. /Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’

Frojdi, psikanaliza dhe letërsia

“Ëndrrat shprehin kujtime dhe njohuri”