MENU
klinika

Lufta me Covid-19/ Këshilltarët ekonomikë

“Gjermania drejt recesionit më të thellë që nga viti 2009”

30.03.2020 - 12:36

Këshilltarët ekonomikë të qeverisë gjermane parashikojnë që pandemia e koronavirusit do të shkaktojë recesionin më të rëndë që ka përjetuar Gjermania, që nga kriza globale financiare.

Sipas një raporti të Këshillit gjerman të ekspertëve ekonomikë, edhe nëse vendi do të heqë kufizimet ndaj biznesit dhe të lëvizjes nga mesi i muajit maj, duke lejuar që ekonomia të rikuperohet gjatë verës; sërish prodhimi pritet të zvogëlohet me 2.8% këtë vit.

Por nëse kufizimet zgjasin më shumë ose prodhimi ndalet më tej, ekonomia mund të pësojë një rënie deri në 5.4%. Secili rezultat do të sillte rënien më të thellë që nga viti 2009. Këto vlerësime pasqyrojnë sfidën që ekonimistët pritet të përballen; një sfidë e cila ka përfshirë të gjithë Europën dhe botën brenda disa javësh.

Ndërkaq, Këshilli gjerman tha se masat tradicionale stimuluese për të rritur aktivitetin ekonomik afatshkurtër nuk janë premtuese pasi bllokimet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë sjellë një bllokim të pjesës më të madhe të jetës publike dhe biznesit.

Në vend të kësaj ata thonë se qeveria duhet të përqëndrohet në paketat lehtësuese për biznesin dhe ndihmat sociale në periudhën pasi të hiqen këto masa kufizuese, për të përshpejtuar rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.