MENU
klinika

I dhurojnë një shtëpi

Ish-futbollisti surprizohet në emisionin televiziv

22.03.2020 - 14:07

Në këto kohë të vështira ka edhe episode që tregojnë humanizëm dhe solidaritet. Sindikata e Futbollistëve të Shqipërisë ka vendosur të kontribojë për një ish-futbollist, të cilin fati nuk e deshi të bënte një jetë si gjithë të tjerët, por e uli në një karrige me rrota dhe pas disa vitesh e goditi përsëri nga fatkeqësia e tmerrshme e tërmetit, duke e lënë pa çati mbi kokë.

Me paratë e mbledhura nga turneu miqësor mes legjendave te Greqisë, Turqisë, Italisë dhe Shqipërisë është vendosur të ndihmohet Altin Rrica. Kavajasi ishte një prej më të mirëve të qytetit të tij dhe përveç Besës, gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Tiranën, Partizanin e Luftëtarin. Gjithashtu ai ka provuar edhe të veshë fanellën e kombëtares kuqezi.

Në vitin 2000, kur ai ishte vetëm 26-vjeç pësoi një aksident në liqenin e Ohrit dhe mbeti i paralizuar. Pas kësaj jeta e tij mori nja rjedhë tejet të vështirë dhe Rricës i është dashur të luftojë për të siguruar një jetesë normale.

Andi Lila i ka bërë një surprizë, që është zbuluar në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top-Channel. Rrica ka marrë në dorë çelësat e një apartamenti të ri dhe tashmë ka një strehë si të gjithë të tjerët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN