Një lajm i trishtë ka prekur klubin e Real Madrid dhe gjithë Spanjën. Lorenzo Sanz, ish-president i Real Madrid në vitet 1995-2000, u nda nga jeta sot në kryeqytetin spanjoll, si pasojë e komplikacioneve nga koronavirus.
76-vjeçari u shtrua të martën, më 17 mars, në një qendër spitalore pasi gjendja e tij u përkeqësua si pasojë e 8 ditëve me temperaturë dhe siç tregoi një nga djemtë e tij, duke rezistuar pa shkuar në spital.
Kur u shtrua, ai bëri testin për COVID-19 dhe rezultoi pozitiv. Një ditë pas shtrimit në spital, gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë të ndjeshme deri sa solli ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike. Ai do të kujtohet si një nga presidentët që rindërtoi plotësisht Real Madrid, duke i kthyer famën e viteve të kaluara pasi klubi kishte më shumë se 30 vite që nuk njihte suksese ndërkombëtare
Në vitin e parë afroi Fabio Capellon e bashkë me të emra, si Mijatoviç, Suker, Roberto Carlos e Sedorf, të cilët iu bashkuan Raul, Redondo apo Hierro. Skuadra fitoi Champions League me Jup Heynckes në stol në vitin 1998 dhe e përsëriti veten në vitin 2000 me Del Bosque.