MENU
klinika

Numri i aksidenteve ka rënë me 95%

Izolimi nga Covid-19 ka ulur ndjeshëm kriminalitetin në vend

29.03.2020 - 16:49

Shtetrrethimi për shkak të koronavirusit dhe izolimi i qytetarëve në banesa ka ulur numrin e krimit në vend. Shifrat kanë rënë në mënyrë të ndjeshme, por gjithsesi ende në komisariatet e policisë ka denoncime për vepra penale ku mbizotëron dhuna në familje, vjedhjet e banesave, por dhe ndërtimet pa leje.

Frika nga përhapja e koronavirusit dhe izolimi në banesa të qytetarëve ka ulur kriminalitetin në vend, por ende ka vepra penale që janë evidente në Shqipëri.

Në komunikatat ditore të policisë, nuk gjenden vepra të rënda penale, si vrasje apo plagosje të rënda, por nuk mungojnë denoncimet për vjedhje banesash, dhunë në familje, apo ndërtime pa leje.

Gjatë kohës së karantinës janë regjistruar vetëm dy ngjarje të rënda në Fushë-Krujë ku xhaxhai vrau nipin pas një konflikti pronësie, dhe aksidenti me 4 të rinj të vdekur, pasi kishin dalë me makinë duke shkelur orarin e lejuar.

Ndërsa të gjitha veprat e tjera penale kanë shënuar një rënie të ndjeshme.

Më konkretisht që nga nisja e shtetrrethimit, në komisariatet e policisë janë regjistruar afro 40 denoncime për dhunë në familje, ndërsa gjatë muajit mars të një viti më parë ishin 104 denoncime.

Gjatë këtyre dy javëve janë konstatuar 112 raste për vjedhje prone, si dhe 45 denoncime për ndërtime pa leje, shifra këto më të ulëta sesa e njëjta periudhë e vitit 2019.

Vetëm në Tiranë në këto dy javët e fundit janë bërë 11 denoncime vjedhjesh, nga rreth 326 të së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Për situatën e koronavirusit, dhe monitorimin e respektimit të masave, Policia e Shtetit ka angazhuar thuajse të gjitha strukturat e saj, nga forcat e Rendit, “Shqiponjat”, Policia Rrugore, me kapacitete prej rreth 4 mijë efektivësh.

Duke qenë se ka ulje të kriminalitetit në vend, edhe policia kriminale është planizuar për monitorimin e masave të hartuara nga qeveria.

I vetmi operacion që ka zhvilluar Policia Kriminale, me repartin e RENEA-s dhe FLO, ka qenë arrestimi i dy vëllezërve Çala, të akuzuar për grabitjen brenda Rinasit.

Burime nga policia gjithashtu bëjnë me dije se për shkak të shtetrrethimit dhe ndalimit në shumicën e kohës të qarkullimit të mjeteve është ulur ndjeshëm dhe numri i aksidenteve.

Sipas policisë në këto dy javë numri i aksidenteve ka rënë me rreth 95% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.