MENU
klinika

NBA

James e Antetokounmpo shkëlqejnë për ekipet e tyre

02.03.2020 - 11:47

Po i vjen fundi sezonit të rregullt të NBA dhe skuadrat po përpiqen të sigurojnë vendet në “play-off”. Dy skuadrat që e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen janë Los Angeles Lakers dhe Milwaukee Bucks, përkatësisht kryesuesit në Konferencën e Perëndimit dhe atë të Lindjes, të cilat fituan edhe ndeshjet e fundit.

Lakers nuk ndalën rrugëtimin e saj në Konferencën e Perëndimit, duke ruajtur kreun edhe pas fitores 122-114 ndaj New Orleans. Sfidë ku herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri, por në minutat e fundit miqtë nga Kalifornia u shkëputën.

LeBron James realizoi një “triple double”, me 34 pikë, 12 rebound e 13 asist, mbështetur nga Kuzma me 20 pikë, ndërsa Davis ishte lënë pushim. Në kahun tjetër u dallua Williamson me 35 pikë, por që mbetën për statistikë.

Fiton edhe skuadra tjetër e Los Angeles, ajo e Clippers, që mundi 136-130 Philadelphia, sfidë vendosur në periodën e fundit për vendasit. Leonard realizoi 30 pikë, ndërsa tre lojtarë e mbyllën me nga 24 pikë: George, Harrell dhe Williams.

Skuadra e Denver Nuggets fitoi 133-118 ndaj kampionëve të Toronto Raptors, dy ekipe pretendente në Konferencat përkatëse. Denver e dominoi ndeshjen, me Jokic protagonist me një “triple double”, 23 pikë, 18 rebound e 11 asist.

Paraqitje fantastike bëri edhe Gianni Antetokounmpo për skuadrën e tij Milwaukee Bucks, teksa fitoi jashtë fushe 93-85 ndaj Charlotte Hornets. Ylli i Bucks dhe NBA realizoi plot 41 pikë dhe 20 rebound, duke e fituar thuajse u vetëm ndeshjen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN