Spanja është vendi i dytë më i prekur në botë nga Covid-19, por edhe nga humbjet e jetëve njerëzore tashmë ka kaluar Kinën, mbi 4 mijë të tillë. Por përvec kësaj, po kalon një kaos të vërtet, pasi në vendin iberik paniku është në nivele ekstreme, aq sa dje ka ardhur një denoncim që është pak ta quash thriller.
Autorësia i përket djalit të Lorenco Sanz, ish-presidentit të Realit të Madridit, i cili humbi jetën më 21 mars, pas infektimit me COVID-19. Gjatë një ndërhyrjeje të kërkuar në emisionin “Salvame”, ai ka zbuluar se arkivoli që mbante brenda kufomën e babait të tij nuk gjendet.
Në këtë mënyrë, djali i Lorenco Sanz ka bërë një apel për ndihmë që trupi i pajetë të gjendet dhe t’i rikthehet sa më shpejt familjes që të procedojë jo me varrosjen, por me djegien në krematorium, pas një vendimi të marrë nga familja.
Funerali i ish-presidentit të Realit të Madridit ishte programuar që të bëhej më datë 24 mars, por pas kësaj vonese, të ardhur si rrjedhojë edhe e kolapsit me të cilat po përballen edhe agjencitë funerale në Spanjë, pas vdekjeje të shumta, arkivoli jo vetëm që nuk mbërriti në familjen Sanz, por ndërkohë askush nuk duket se është në dijeni se ku ai ka përfunduar.