MENU
klinika

Qytetet në gjumë, durrsakët të pabindur

Koronavirusi/ Shqipëria nga sot 3 ditë në ‘shtet-rrethim’!

13.03.2020 - 09:27

Nga ora 06.00 e mëngjesit të sotëm, asgjë në rrugët e Shqipërisë nuk i ngjante një situate normale me të cilën jemi mësuar në përditshmërinë tonë. Rrugët e boshatisura, me automjete aq të pakta në numër saqë nuk e shuajnë ndjesinë dhe panoramën e një shtetrrethimi. Në rrugë, efektivë të shumtë të policisë dhe forca të ushtrisë, për të kontrolluar nëse qytetarët që kanë dalë me automjete kanë autorizim nga Policia e Shtetit dhe një arsye të mirëjustifikuar. Kjo situatë pritet të jetë deri të dielën në mesnatë.

Dje kryeministri Edi Rama shpalli masat ekstreme kufizuese për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi. Automjetet private, taksitë dhe transporti urban janë pezulluar në 8 qarqe për tre ditë, në një izolim të domosdoshëm, që si vende të tjera në botë të prekura nga koronavirusi, po e sulmojnë atë duke qëndruar në shtëpi, duke shmangur kontaktet me grumbullime njerëzish, dhe mbi të gjitha, duke respektuar rregullat e rekomanduara nga OBSH për higjienën personale.

Deri më tani, po shihet një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve. Pritet të shihet nëse ky ndërgjegjësim do të vijojë për të mirën e gjithsecilit prej nesh, e mbi të gjitha për shëndetin e të afërme të moshuar, prindërve e gjyshërve tanë, që janë edhe më të rrezikuar nga infektimi dhe pasojat fatale nga COVID-19.

Eshtë ndoshta hera e parë që Shqipëria është izoluar nga frika e një virusi dhe po kalon këtë situatë, për të cilën të gjithë shpresojmë të japë rezultat dhe të shërbejë si një masë e rëndësishme për të frenuar sadopak përhapjen e COVID-19, që ka marrë jetën e parë në vendin tonë dhe ka prekur mbi 20 persona.

Në Shkodër ndalimi i qarkullimit të makinave duket se nuk bën shumë përshtypje pasi pjesa më e madhe e qytetarëve lëvizin me biçikleta. Edhe sot nuk ka shumë ndryshim, megjithëse ndryshe nga herët e tjera lëvizin më lirshëm. Ato e kanë kaluar me batutë, duke thënë se i duket sikur janë në kohën e komunizmit.

Edhe qytetarët lezhjanë i janë përgjigjur urdhrit të autoriteteve shtetërore për të qëndruar në banesa. Rrugët dhe trotuaret janë të boshatisura. Ndërkohë pjesa më e madhe e bizneseve janë të mbyllura. Në disa pika të qytetit janë vendosur policia dhe ushtria duke monitoruar situatën, për të ndaluar qytetarët që mund të udhëtojnë me automjete pa pasur një autorizim nga policia.

Ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, qytetarët e Durrësit nuk kanë respektuar urdhrin që ndalonte qarkullimin e makinave private, si masë parandaluese ndaj koronavirusit. Ditën e sotme janë ndaluar 5 shoferë të cilët thyen vendimin e qeverisë.

Edhe pse një qytet i vogël, lëvizjet kanë vijuar si në një ditë normale, me makina të shumta në rrugë dhe qytetarë të shumtë që lëvizin në këmbë. Bizneset thuajse janë mbyllur të gjitha, por qytetarë të ndryshëm lëvizin nëpër qytet, duke mos respektuar kështu masat ekstreme kufizuese të vendosura nga qeveria, për parandalimin e koronavirusit.Ndërkohë në daljet e qytetit dhe në akset kryesore ka postblloqe policie të cilët i kërkojnë udhëtarëve autorizimet për të lëvizur.

Kukësi është zgjuar ditën e sotme si një qytet i ndërgjegjësuar në luftën me koronavirusin. Ditën e stome në rrugë kanë qarkulluar shumë pak makina, siç shihet në pamjet që Report Tv sjell, me duket se janë ato që kanë marrë autorizimin nga autoritetet përkatëse.

Edhe qytetarët e Lushnjes i kanë kufizuar lëvizjes këtë të premte, në zbatim të shtetrrethimit deri të dielën në mesnatë ku nuk do të lejohet të qarkullojnë makinat private, taksitë apo automjetet e transportit publik, si masë parandaluese ndaj COVID-19. Vetëm makinat që shpërndajnë ujin në dyqanet ushqimore janë parë këtë mëngjes në lëvizje, ndërsa hapur kanë qenë vetëm furrat e bukës. Pensionet do të dërgohen në banesë, ndërsa policia dhe ushtria kanë ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e qytetit. Duket sikur Lushnja është ende në gjumë.

Si asnjëherë tjetër, edhe në Vlorë, gjithçka i duket një qyteti që ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme nga koronavirusi. Mëngjesin e sotëm në rrugë, kanë qarkulluar vetëm ambulanca dhe makinat që kanë marrë një autorizim.

Fieri është ndërgjegjësuar! Askush nuk ka dalë në rrugë ditën e sotme! Në rrugë lëvizin vetëm makina që janë lejuar të kalojnë nga postblloqet e policisë.

Në Tiranë të vetmet automjete që u panë ishin ato që transportonin stafet e institucioneve të ndryshme, mediave, disa ambulanca, e tek tuk edhe ndonjë person që për të shkuar në punë kishte zgjedhur biçikletën. Efektivët e policisë ndalonin automjetet duke i kërkuar udhëtarëve arsyen e lëvizjes, dhe mbi të gjitha nëse kishin marrë apo jo autorizim nga Policia e Shtetit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Paniku tek njerëzit është penalisht i dënueshëm"

“Koronavirus në Shqipëri”, Prokuroria nis hetimet për lajmet e rreme

Një ditë pas masave për koronavirusin

Ambasadorja Yuri Kim takim në Kryeministri