Sot, Kroacia u godit nga tërmet i fortë, rreth 5.4 ballë të shkallës rihter. Sipas raportimeve, tërmeti ka shkaktuar mjaft dëme dhe ka shtëpi që janë të pabanueshme, duke nxjerrë në rrugë shumë njerëz, të cilët tashmë nuk dinë se kujt t’i ruhen më parë.
Në mbështetje të tyre kanë ardhur një numër i madh njerëzish, që i mbështesin moralisht dhe jo vetëm. Myrto Uzuni dhe Jon Mersinaj, të dy lojtarë të kombëtares dhe Lokomotiva Zagreb kanë reaguar në rrjetet sociale për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj të dëmtuarve nga tërmeti.
Ata kanë postuar foto, ku shkruajnë: “Lutuni për Zagrebin” në gjuhën angleze. “Ishte tërmet shumë i fortë, por fatmirësisht zgjati pak. Unë jetoj në kat të 9-të. Jam gati ta ndërroj shtëpinë që sot. Do vendosem diku tjetër. Për fat, nuk pati dëme. Shumë pak në shtëpi”, – u shpreh për “Panorama Sport”, Mersinaj.