Gjykata e Përmetit ka dhënë pak minuta më parë masat e sigurisë për 30 të arrestuar e operacionit “Mezhgorani”.
Mësohet se gjykata ka liruar botuesin Henri Çilin, duke dhënë masën “detyrim paraqitje”.
Më herët gjatë ditës së sotme, gjatë mbrojtjes në gjykatë, Çili ka pranuar përgjimet, me argumentin se ai ka një studio ligjore që ia legjitimon ndërmjetësimin dhe se biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së kësaj studioje ligjore.
Ai mohoi para gjykatës së Përmetit ku mesditën e sotme u fut me pranga në duar pas arrestimit për gjashtë akuza.
Burimet tregojnë se Çili është shprehur para gjyqtarit Dritan Hasani, duke thënë “Arrestimi im është pa prova“.
Henri Çili u arrestua gjatë një operacioni policor me 6 akuza. Burimet kanë bërë të ditur se ai dyshohet të ketë premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Lartë për të liruar dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të dënuar si pjesë e grupit të zjarrit që vranë efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, në operacionin e qershorit të vitit 2015 në Lazarat.
Ai akuzohej për “Fshehje e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.