MENU
klinika

"Të bashkuar, do t’ia dalim!"

Luis Sepulveda: Pa frikën, nuk do të provonim as dashurinë

17.03.2020 - 14:35

          Një frazë e autorit Luis Sepulveda, që na fton të reflektojmë për natyrën e guximit

Shkrimtar, gazetar, skenarist, por edhe aktivist politik, Luis Sepulveda është një nga shkrimtarët kilianë më të njohur në botë. Aftësia që ai ka për të rrëfyer histori, ka ditur dhe ende di të prekë zemrat e të rriturve dhe fëmijëve. Pas butësisë magjepsëse të tregimeve të tij, ekziston një jetë e shënuar nga dhimbja. Nga persekutimi nën regjimin e Pinoçetit, deri tek torturat në burg, për të vijuar mandej me internimin e detyruar nga Kili, jeta e Luis Sepulvedës është një histori romani. Nga ato që të lënë pa frymë deri në faqen e fundit, nga ato që të emocionojnë dhe të lënë gjurmë të pashlyeshme. Në librat e tij Sepulveda sjell me një mjeshtëri të jashtëzakonshme domethënien e një jete të plotësuar, të jetuar me guxim, yjëzuar me dashuri dhe gjallëruar nga idealet./Konica.al

Historia e një ligaveci që zbuloi rëndësinë e ngadalësisë së Luis Sepulvedës

Kërmijtë që jetonin në livadhin e quajtur Fusha e Dhëmbëzave të Luanit ishin mësuar të bëjnë një jetë të avashtë dhe të heshtur. Për t’u fshehur nga shikimi i babëzitur i kafshëve të tjera, si dhe për t’i quajtur mes njëri-tjetrit thjesht “kërmill”. Megjithatë, njëra prej tyre e gjykon të padrejtë të mos kenë një emër dhe mbi të gjitha ajo është kureshtare të zbulojë arsyet e ngadalësisë. Për këtë arsye, pavarësisht mospranimit të shoqeve, ajo ndërmerr një udhëtim. Një udhëtim që do ta bëjë të njohë një buf të trishtuar dhe një breshkë të mençur; për të kuptuar vlerën e arsyetimit dhe natyrën e vërtetë të guximit; dhe për t’i shoqëruar miqtë në një aventurë të guximshme drejt lirisë./Konica.al

Frika nuk është një armik që mposhtet

Edhe një herë, përmes kësaj fjalie, Luis Sepulveda na jep një reflektim për të kuptuar natyrën e vërtetë të guximit. Për Sepulvedën, frika nuk është domosdoshmërisht një armik që duhet mposhtur. Përkundrazi, frika mund të dëshmojë se është aleati ynë më i vlefshëm. Kur, për shembull, ne gjendemi përballë një rreziku, pikërisht falë frikës trupi dhe mendja vënë në lëvizje gjithë mekanizmat mbrojtës, të dobishëm për të na shpëtuar. Pa frikë, ne nuk do të ishim në gjendje të mbrohemi nga rreziqet që na rrethojnë. Pa frikë, ne nuk do të kishim asnjë mënyrë për të provuar drithërimën që na përshkon shtatin, madje as atë të dashurisë. Ajo që na kërkohet, sot më shumë se kurrë, nuk është të mos kesh frikë, por të jesh i guximshëm. Të rebelohemi kundrejt rreziqeve që na kërcënojnë dhe t’i luftojmë hapur ato. Nuk ka rëndësi nëse na dridhen duart, apo mezi mbushemi me frymë, sepse nuk ka veprim trimërie që nuk fsheh pas vetes frikën se mos nuk ia del mbanë. Mirëpo ne, të bashkuar, do t’ia dalim mbanë! /Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al