MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Me Likurgun më mirë, apo aministinë e Ramës?

12.03.2020 - 12:59

E kam parë nja dy herë, këto kohët e fundit, një film të bukur shumë. Një grup skllevërish në një anije, bëjnë kryengritje kundër atij që donte t’i shiste diku, siç ndodhte rëndom në kohën e njohur nga të gjithë. Anijen e tyre tashmë të lirë, megjithatë e kapin në Amerikën e Veriut, që kishte filluar debatin mbi skllavërinë me Amerikën e Jugut.

Skllavin organizator, e thirri për ta pyetur avokati, që ishte ndërkaq, kandidat për President në Amerikë.

E çfarë të bëj me ty, – i tha. Të të liroj, mund të hyj në luftë me Jugun, që e do skllavërinë. Të të dënoj, po ashtu është krim. Si mendon të bëj?

Nuk e di, – u përgjigj skllavi analfabet. Në raste kur ne kishim dilema në fisin tonë, në Afrikë, pyesnim shpirtrat e të parëve…

Avokati i madh e fitoi gjyqin, duke i lënë skllevërit të lirë, referuar këshilllës së skllavit. Ai përmendi në gjyq Kushtetutën, që kishin bërë gjyshërit e Amerikës së re.

Filmi m’u kujtua tani, kur Rama hodhi në skenë idenë e aministisë. Rrëmuja e madhe nga periudha e tranzicionit, ka krijuar jo një, po mijëra drama. Nuk është e vështirë të thuhet, se në bazë të tyre qëndron keqqeverisja e dikurshme, që imponoi popullin, ndoshta të vetmin në Europë, t’ia mbathte nga sytë këmbët, për të mbijetuar, kur komunizmi ra.

Drama e atëhershme, vazhdon të projektohet tani, në gjithë drejtimet. Informaliteti thuhet, është mbi 50 për qind. Pronat janë rrëmujë. Paraja e pistë, qarkullon ngado dhe avash-avash, të gjithë po e kuptojnë se kështu, po e përkeqësojmë poziconin tonë, gjithnjë e më shumë. Si t’ia bëjmë?

Rama, hodhi idenë e aministisë. Nuk është ide e re dhe në përgjithësi, kështu bëjnë edhe shtetet më të organizura se ne. Rezultatet janë të diskutueshme dhe varen po nga shkalla e zhvillimit të shtetit që e kryen atë. Vetë, nuk besoj të arrijmë rezultate të Zvicrës, apo Austrisë. Bile besoj, se një gjë e tillë mund edhe ta përkeqësojë pozicionin e vendit. Do fusë në lojë të ligj të rinj, që në emër të rregullit, do shtojnë kaosin

Nën shembullin e filmit, besoj, se shkuarja te gjyshërit e vjetër, është gjëja më e mirë si ide. Po te cilët gjyshër?

Rilindja europiane është një refleks i lashtësisë greke, që nuk u përsërit më kurrë – thotë një nga ustallarët e filozofisë. Po Rilndja europiane, e cila pruri atë të sotmen, e studioi mirë antikitetin, domethënë gjyshërit… Dhe në rast që e studioi mirë, pruri dhe begatinë e sotme.

Shembullin kam qejf, pra, ta marr te një nga diktatorët e ndritur dhe njëkohësisht, te një nga ligjvënësit e mëdhenj të historisë, i cili quhet Likurg.

Folur me termat e sotëm… Për të qëruar hesapet me korrupsionin, informalitetin, vjedhjen e shtetit dhe grykësinë njerëzore, Likurgu zbatoi këtë teknikë, që duket sikur sot është harruar…

Ai bëri një gjë të thjeshtë dhe paradoksale, në pamje të parë… Rëndoi peshën e parasë. Nëse ta zëmë (po flasim prapë, me gjuhën e sotme) një dollar, a një euro peshonte 10 gramë, njëqind dollarë peshonin 10 kilogramë.  Thebi ishte i thjeshtë. Ku do t’i vendosje mijëra apo miliona dollarë apo euro.

Ligji i Likurgut, i pastroi me një lëvizje të vetme, të gjitha pasojat që vinin nga informaliteti dhe grykësia njerëzore.

Shaka e hedhur në kohë të koronavirusit, kjo që po them?

Një mik më thoshte, se në Europë, a më gjerë, ekziston një lojë e ngjashme me paranë, që duket kundër idesë së Likurgut. Xhambazët e mëdhenj, i kthejnë paratë e tyre në shumicë, në monedha të mëdha 500- euroshe. Kështu, zvogëlojnë vendin ku t’i fshehin. Shkëmbimi bëhet kundrejt një shpërblimi.

Të flasim më konkretisht. Kur ti hedh në treg monedha të prerjeve të mëdha, atëherë ti ke realizuar edhe lojën e këtyre ustalllarëve që përmënda më sipër. Zgjdhja është operimi me monedha të vogla, që përdoren në qarkullimin e përditshëm.

Po a ngadalëson kjo, fitimin normal dhe a shpie në barazitizëm komunist? Besoj, jo. Ai që fiton në mënyrë të ndershme, është thjesht i detyruar t’i strehojë paratë e tij në bankë, apo t’i kthejë në forma digjitale. Shpënia në bankë, apo përdorimi në formë digjitale, shpie gjithashtu në një kontroll evident, të atyre që e kanë paranë. Së dyti, nxjerr nga loja menjëherë, të korruptuarit.

Ideja duket budallaqe, po në thelb është përdorur nga India, së fundmi, që ka mbi njëmiliard e ca banorë. Për një periudhë kohore të caktuar, ajo nxori nga loja monedhat e mëdha, duke këmbyer llojin e monedhës. Dhe duke zhdukur nga qarkulimi monedhën e madhe, informaliteti shkoi drejt pakësimit absolut.

Megjithë prapambetjen e madhe në shumë sektorë, India si ish-koloni e Anglisë, e kopjoi këtë të fundit, në huqet e saj të mira. Edhe në Angli, nuk ka shumë monedha të prerjes së madhe…

Në Shqipëri, thuhet se, ndoshta mund të hyjë në qarkullim momedha 100-mijëshe (me të vjetra). Sipas rregullës së Likurgut, një diçka e tillë është e gabuar.

Natyrisht, nëse në lojë ishte vetëm leku, rregulla e Liurgut do ta zhdukte për një kohë të shkurtër, informalitetin. Po tek ne është dhe euro. Ka disa vende të ngjashme me ne, që përdorin vetëm monedhën kombëtare. Te ne jo. Pse??

Nuk është e vështirë të kuptohet, se përdorimi rregullës së Likurgut, do të kërkonte që politikën e parasë, ta bënte e gjithë Europa.

Jam i bindur, se do ta bëjë. Me zvogëlimin e monedhës me prerje të madhe, a me formën digjitale, nuk e di. Po jam i bindur, se do ta bëjë.

A pengon gjë kjo rregull dhe a duhet zbatuar në formën e drejpërdrejtë, të vendosur nga Likurgu? Besoj se rregulla e tij, do të ketë formën moderne, po duke mos thyer parimin e vendosur. Paraja e madhe qarkullon nëpër banka, në këtë rast. Në dorë, a në një cep të shtëpisë, monedha e madhe nuk ka vlerë, për shkak të peshës fizike.

Ndërkaq, nëse ajo qarkullon në banka, të gjithë e kuptojnë origjinën e saj dhe informaliteti zhduket thjeshtë.

Rreziku, ndoshta është diku tjetër. Jo vetëm te xhambazët e vegjël, a të mëdhenj që vijnë nga periferia në qendër.

Kjo botë, që prodhon rreth 80 mijë miliardë dollarë në vit, mban në qarkullim rreth 300 mijë miliardë të tilla. Pra, ka krijuar një tullumbace të madhe, që dikur pasi ngrihet në qiell, do çahet duke prurë pasoja të lemerisshme.

Puna reale është të rikthehesh te Likurgu, duke mbajtur në themel idenë e tij: drejtpeshimin në zhvillimin e ekonomisë dhe tregut të lirë.

Nuk po flet njeri, për zhdukjen e parasë nga tregu. Një gjë e tillë, perifrazuar tim atë që nuk ka shkollë, do ta rikthente njeriun në pozitat e kafshës

A ia vlen, t’i rikthehemi Likurgut? Besoj se po. Jam shumë më tepër pro tij, se aministive fiskale. Në vende si yni, siç ndodh në çdo vend me qeverisje të dobët, rregullat e nisura për të vënë rregull, zakonisht përfundojnë në të kundërtën e tyre. Pra, thjesht bien kaos…