MENU
klinika

Një lojtar i Utah Jazz del pozitiv

Ndalet basketbolli, pezullohet Euroleague dhe NBA

12.03.2020 - 12:20

Përhapjes së Coronavirusit nuk mund t’i shpëtonte edhe basketbolli ndërkombëtar. Euroleague dhe NBA janë pezulluar. Të gjitha ndeshjet në program do të zhvillohen në një moment tjetër, ku mbetet të përcaktuar data. Organizatorët e basketbollit evropian e morën këtë vendim pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti pandemic përhapjen e virusit.

Ndërsa tashmë Coronavirus ka prekur direkt edhe NBA-në. Basketbollisti i Utah Jazz, Rudy Gobert, ka rezultuar pozitiv, duke bërë që ndeshja ndaj Oklahomës të mos zhvillohet. Nuk është luajtur edhe takimi mes Sacramento-Neë Orleans, që do të niste në të njëjtin orar. Ndërkohë që janë luajtur vetëm 4 ndeshje që kishin nisur më herët.

Drejtuesit e NBA-së kanë lëshuar një komunikatë për pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit. “NBA pezullon aktivitetin e saj pas ndeshjeve të sotme. Një lojtar i Utah jazz ka rezultuar pozitiv me coronavirus. Rezultati i testit është marrë pak minuta para fillimit të ndeshjes”, thuhet me pak fjalë në deklaratën për media të NBA-së.

Në ato momente lojtari nuk ka qenë në stadium, por mësohet se ndodhet në karantinë. NBA ka vendosur të pezullojë pa afat ndeshjet deri në një moment të dytë. Të gjithë lojtarët e Jazz do t’i nënshtrohen testit të coronavirus, si dhe disa gjyqtarë që kanë gjykuar këtë skuadër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN