MENU
klinika

Hosseini: Ka vetëm një mëkat!

“Në Afganistan ka shumë fëmijë, por fëmijëria nuk ekziston më”

04.03.2020 - 17:23

     Khaled Hosseini, biri i një diplomati, lindi më 4 mars 1965, në Kabul të Afganistanit. Hosseini kreu shkollën e mesme të “San Hose” më 1984 dhe u regjistrua në Universitetin “Santa Clara”, ku mori diplomë në biologji më 1988. Një vit më vonë, ai hyri në Universitetin e Kalifornisë “San Diego”, ku u diplomua mjek më 1993. Ushtroi profesionin e mjekut për dhjetë vjet, deri një vit e gjysmë pas publikimit të librit “Gjuetari i Balonave”. Familjes së tij iu plotësua kërkesa për azil politik në SHBA më 1980. “Gjuetari i balonave” është romani më i fuqishëm epik i kohëve të fundit, një sukses i jashtëzakonshëm letrar i botuar në shumë vende të botës./Konica.al/Por jo vetëm “Gjuetari i balonave” është i magjishëm dhe lexohet me një frymë. Të të njëjtit nivel janë edhe veprat e tjera të Khaled Hosseinit: “Njëmijë diej vezullues”, “Dhe malet oshëtinë”, “Lutje detit” etj. Khaled Hosseini me romanet e tij bëri që miliona lexues të ëndërrojnë, duke u dhënë kësisoj zë edhe problemeve sociale në Kabul dhe Afganistan. Në mars 2001, ndërsa ushtronte mjekësi, Hosseini filloi të shkruante romanin e tij të parë: “Gjuetari i balonave”, i cili u botua nga “Riverhead Books” në 2003. Ky debutim vazhdoi të nisë një nga karrierat më të mëdha letrare të kohës sonë. Sot, Khaled Hosseini është një nga autorët më të njohur dhe më të shitur në botë. Librat e tij janë botuar në mbi shtatëdhjetë vende dhe kanë shitur më shumë se 40 milionë kopje në të gjithë botën.

Khaled Hosseini, një nga zërat më të njohur dhe më të rëndësishëm të letërsisë, është  vlerësuar me Medaljen Vanderbilts Nichols-Chancellor në vitin 2010. Në fjalën e tij pranuese, ai foli gjerësisht për rëndësinë e arsimit. “Njerëzit që mësojnë sot do të punojnë dhe do të ushtrojnë ambiciet e tyre nesër”, – u shpreh ai. “Për mua, të mësuarit është ndryshim. Nuk është përpunimi i një morie njohurish. Mësimi është një sfidë për atë që mendoni se e dini. Nuk është një konfirmim i saj. Mësimi është një rishikim i botës përreth jush. Mësimi nuk është gjithmonë i rehatshëm. Mund t’ju alarmojë dhe t’ju zemërojë. Por gjithmonë do t’ju bëjë të mendoni”, – vijoi autori. Madje, shpesh përdor shembullin e burkës për të argumentuar se si veshja shikohet ndryshe kur shikohet nga pikëpamje të ndryshme dhe përballja me implikimin e larmishëm të saj është një mënyrë për të sfiduar mësimin tonë.

Proza unike, e rrjedhshme, e cila detajon rrethanat e dhimbshme dhe të ashpra të protagonistit të saj Amir dhe rrugëtimin e tij ndërsa rritej, bëri që libri i autorit të përpihej nga lexuesit.

 

Në Afganistan ka shumë fëmijë, por fëmijëria nuk ekziston më.

 

Bukuria është një dhuratë e madhe, e pamerituar, rastësisht, marrëzisht.

 

Mësova se bota nuk e sheh shpirtin tuaj, se nuk i kërcet aspak për shpresat e tua, ëndrrat dhe dhimbjet tuaja, që fshihen përtej lëkurës dhe eshtrave. Ishte kështu: e thjeshtë, absurde dhe mizore.

 

Ka vetëm një mëkat. Vetëm një. Vjedhja. Çdo mëkat tjetër mund t’i adresohet vjedhjes. […] Nëse vrisni një burrë ju i vidhni jetën. Ju i vidhni të drejtën gruas së tij për të pasur burrë, u vidhni fëmijëve babain e tyre. Nëse i thoni dikujt një gënjeshtër, ju u vidhni atyre të drejtën për të vërtetën. E mashtroni atë për besnikëri.

 

Mësoje tani dhe mësoje mirë, bijë. Ashtu si gjilpëra e busullës shënon veriun, kështu edhe gishti akuzues i burrit gjen gjithmonë një grua për të fajësuar. Gjithmonë. Mos e harro, Mariam./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al