MENU
klinika

Adrian Civici

Në kërkim të “recetës” ekonomike për krizën e Koronavirusit

29.03.2020 - 12:41

Efektet negative ekonomike e financiare të shkaktuara nga “kriza e koronavirusit” sa vijnë e thellohen, duke e bërë shqetësimin për “të ardhmen ekonomike” po aq të madh sa dhe vetë efektet sanitare e shëndetësore që po mundohemi të luftojmë.

Mjekët dhe vecanërisht epidemiologët janë përfshirë në “një luftë kundër kohës” për shpjegimin e kësaj pandemie, gjetjen e vaksinës dhe ilacit kurues shpëtues, ndërkohë që edhe ekonomistët e financierët gjenden në të njëjtën tip lufte për shpjegimin e natyrës, përmbajtjes së kësaj krize dhe “ilacin” e shërimit të saj. Llogjikisht duhet pranuar se “për të zgjidhur një problem, fillimisht duhen njohur shkaqet e lindjes së problemit, dhe për shkaqe të ndryshme duhen zgjedhur receta të ndryshme”.

Analizat dhe debatet, aq sa janë intensive e të gjëra, po aq janë dhe “kontradiktore me njëra-tjetrën”. Të paktën nga këndvështrimi ekonomik e financiar, evidentohen dy “lloj recetash apo paketash shpëtimi ekonomik të kundërta me njëra-tjetrën”, që në thelb reflektojnë të famshmin “debat ndërmjet Keynes dhe Hayek” për vlerësimin e natyrës së krizës dhe instrumentet më eficente për daljen dhe përballimin prej saj. Edhe vendimmarrësit më të lartë politikë, qeverisës apo Bankave qëndrore, po i propozojnë dhe zbatojnë paketat e tyre të shpëtimit në funksion të “preferencës apo vlerësimit të këtyre recetave” dhe situatës ekonomike e financiare të ekonomive të tyre.

Pyetja e parë themelore që shtrohet është: cfarë natyre ka kjo krizë e koronavirusit … ku dallon apo me cilën krizë të mëparshme të këtyre përmasave ngjan … cilët janë sektorët apo degët ekonomike e financiare më të rrezikuara? Një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se “kriza e koronavirusit nuk është e ngjashme me dy krizat e mëparshme globale ekonomke e financiare, të Depresionit të madh të viteve 1929-33 dhe krizës ekonomiko-financiare globale të vitit 2008”.

Për “të gjetur ngjashmërinë e duhur duhet të zbresim 102 vjet mbrapa, në kohën e pandemisë së gripit spanjoll gjatë cilit u kontaminua gati 30-35% e popullsisë botërore”. Kriza aktuale e koronavirusit ka prekur tashmë 177 vende të botës duke u cilësuar si pandemia më e frikshme në historinë e njerëzimit.

Aktualisht nuk kemi të bëjmë me një krizë tipike bankare apo tregjeve financiare, por me një krizë bllokimi të ekonomisë reale, pra me një krizë prodhimi, me një krizë të sektorit të turizmit dhe shërbimeve”, Vec të tjerave, kjo krizë nuk ka natyrën “as të një krize tipike monetare e financiare, as të një krize ciklike dhe as të një krize strukturore, por të një krize economic shock effect apo temporary economic shock ”.

Kriza globale e vitit 2008 u shoqërua me një recesion ekonomik i provokuar vecanërisht nga “shëmbja e sektorit imobiliar dhe humbja e besimit në sektorin financiar e bankar”, ndërsa Depresioni i madh erdhi kryesisht nga spekullimet në bursë dhe zgjerimi tej cdo limiti i kreditit bankar.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

“Kriza e koronavirusit” duket më shumë si “një grusht i rëndë, shpesh dhe vdekjeprurës” i disa sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë reale. Në rradhë të parë sektorit të udhëtimit dhe turizmit – që kontribuon me 10.5% të GDP botërore (në Shqipëri turizmi kontribuon më shumë se 15% të PBB) dhe punëson rreth 10% të fuqisë punëtore botërore – sektorit të shërbimeve në gjithë gamën dhe shtrirjen e tij, tregëtinë me pakicë dhe shumicë, industrinë fason, transportin ajror, rrugor, detar dhe hekurudhor, sektorë të ndryshëm të manifakturës, etj., etj.
Sipas World Travel and Tourism Council, vecanërisht sektori i turizmit do të ketë nevojë për të paktën 20 muaj – mbas mbarimit të pandemisë- që të rimëkëmbet, dhe bashkë me të gjithë sektorët e tjerë të lidhur direkt apo indirekt më aktivitetin e tij. Sipas shumë parashikimeve të institucioneve të specializuara, një pjesë e konsiderueshme e aktorëve ekonomikë në këto sektorë rrezikohen seriozisht nga falimentimi dhe mbyllja e aktiviteteve të tyre, të paktën në 1-2 vitet e ardhshme. Në këtë periudhë, më të “privilegjuara” apo të “kursyera nga furia e koronavirusit” duket se do të jenë disa nga industritë prodhuese të cilat mund të fillojnë ta marrin veten rreth 5-6 muaj mbas kthimit në normalitet, dmth, mbas mbarimit të karantinës, si dhe sektori bankar që pritet të ketë rikuperim shumë më të shpejtë.
Pyetja e dytë themelore që po shtrohet është: cilat janë recetat ekonomike, financiare, monetare, buxhetore e fiskale më të përshtatshme për përballimin e efekteve ekonomike të kësaj krize të pa precedent … recetat me natyrë monetariste, ndërhyrëse keynesianiste apo liberale Hayek-iane? E thënë më thjesht : duhet zgjedhur “receta” sipas së cilës aktiviteti ekonomik duhet stimuluar – dhe për pasojë të kalohet dhe kriza – nëpërmjet shtimit të kërkesës, dmth, stimulimit të konsumit, gjë që kërkon një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve publike dhe një politikë monetare sa më ekspansioniste, përfshirë këtu vecanërisht zbatimin e politikave të lehtësimit sasior, helikopter money, etj., apo duhen zgjedhur politika që mbështesin dhe stimulojnë ofertën, që mbështesin direkt sipërrmarjen dhe prodhimin?

Duket se në këto momente, në emër të “bollëkut të likuiditetit”, varianti dominues mainstream është varianti i parë, një përzjerje e politikave monetare relaksuese e bashkuar me politika monetare jo-konvencionale dhe ndërhyrje buxhetore në shkallë të gjerë. SHBA, Gjermania, Anglia, Italia, Fed, BQE, etj., hodhën në qarkullim paketa financiare prej mijëra milion dollarësh. BE-ja hoqi dorë përkohësisht nga kërkesat rigoroze të Paktit të Stabilitetit duke ilejuar shtetet anëtare të tejkalojnë kufirin e caktuar të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Ish-Presidenti i BQE, Mario Draghi, i cilësuar si “liberal i përgjegjshëm”, në emër të mbrotjes së ekonomisë bëri thirrje për “rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit” për të hedhur në ekonomi qindra miliardë euro të domosdoshme për përballimin e situatës. Draghi i kërkon sistemit bankar “të akordojë sa më shumë kredi biznesit, pa u shqetësuar për aftësinë paguese të tyre…është Shteti ai që duhet të japë garancitë e nevojshme duke paguar dhe një pjesë të borxheve të bizneseve te bankat”.

Në këtë mënyrë, sipas Draghit, “është buxheti publik ai që lehtëson borxhin privat… sidomos në situatën e sistemit bankar në Europë, që ka një sistem bankar që ka lidhje të ngushta me sipërrmarjen, ndryshe nga ai amerikan apo britanik, ku sipërmarjet janë më të orientuara nga tregjet financiare se sa nga bankat”. Borxhi publik nuk duhet të konsiderohet më si një problem, por si një zgjidhje që recesioni të mos shndërrohet në depresion.

Por, ndërkohë ka filluar të artikulohet dhe një këndvështrim e zgjidhje tjetër që vjen nga “krahu i ekonomistëve Hayek-ianë”. Sipas Pascal Salin, ekspert i financave publike dhe ekonomisë monetare, “në kushtet aktuale të krizës së koronavirusit, përdorimi i politikave monetare dhe injektimit masiv të likuiditetit apo stimulimit vetëm të kërkesës globale, është jo-eficent dhe nuk e zgjidh problemin ekonomik e financiar … përkundrazi, tregjet duhet lënë që të vetë axhustohen në mënyrë që të eleminojnë devijimet në strukturat e tyre prodhuese … politikat monetare në emër të bollëkut të likuiditetit, në periudha afatshkurtëra dhe afatmesme mund të ndikojnë negativisht në thellimin e devijimeve me karakter strukturor të ekonomisë dhe kostot e riparimit të kësaj gjendje do jenë shumë të mëdha”. Sipas tyre, “problemi aktual është oferta, sepse pjesa dërrmuese e bizneseve janë të mbyllura dhe nuk prodhojnë”.

Në këto kushte, “vendimet e politikës ekonomike nuk duhet të konsistojnë vetëm në rritjen e shpenzimeve publike”. Më shumë vlerë do të kishte që – të paktën – ato të kombinohen me lehtësira fiskale, shtyrjen dhe në raste të vecanta anullimin e disa detyrimeve të bizneseve, riskedulimin e tatim fitimit, ndihma direkte me karakter social si p.sh., pagimi nga Shteti i pagave dhe sigurimeve të punonjësve të tyre duke kompesuar në këtë mënyrë uljen e të ardhurave të tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme, sepse rënia e prodhimit dhe bllokimi i aktivitetit të tyre shumë shpejt do përkthehet në një rënie të të ardhurave buxhetore dhe rritje të deficitit publik.

Financimi i kësaj situate të biznesit – natyrisht atij të prekur direkt dhe më shumë, dhe jo të gjithë bizneseve pa përjashtim – duhet të financohet nga “kursimet e Shtetit dhe vetë bizneseve dhe jo nga helikopteri monetar apo lehtësimi sasior i Bankave Qëndrore”, aq më tepër që kjo situatë është e përkohëshme, maksimumi 3-4 mujore. OCDE rekomandon që në kushtet e kësaj krize ekonomike të përkohëshme, masat që mund të merren janë të shumta : “të garantohemi që biznesi të ketë likuiditet të mjaftueshëm, të shihet mundësia që një pjesë e taksave dhe detyrimeve të shtyhen,riskedulohen apo anullohen, të bëjmë cështë e mundur që sipërrmarjet të vazhdojnë të funksionojnë dhe ruajnë nivelin e punësimit”. Kjo do ndikojë pozitivisht dhe në gjendjen e financave publike.

Cili version pritet të “fitojë”? Debati dhe propozimet alternative vazhdojnë. Zbatimet e masat konkrete praktike gjithashtu. Në këtë situatë të jashtëzakonshme, cdo vend po zgjedh modelin që i duket më i përshtatshëm, më i mundshëm dhe më eficent. Po Shqipëria? Mendoj, se për kushtet dhe situatën e ekonomisë dhe financave tona, varianti i dytë mund të shihet më me përparësi. Të paktën deri tani, edhe Shqipëria duket se këtë version po preferon. Po kështu dhe Maqedonia e Veriut, Kosova, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.