Policia e Fierit ka dhënë informacionin e parë paraprak në lidhje me helmimin e nxënësve ku thotë se e gjitha dyshohet të ketë ndodhur pasi një nxënës i shkollës “Janaq Kilica” të ketë hedhur një spraj piperi.
“Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur spraj piperi nga një nxënës i kësaj shkolle. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për të zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, thotë policia në një njoftim paraprak.
Është një nxënës që është identifikuar dhe pritet të ndalohet nga policia, nga fshati Kurjan, dhe dyshohet se është pikërisht ai që ka hedhur në të dyja rastet e helmimit, një spraj peper në klasë dhe në ambientet e shkollës. Ky spraj ka shkaktuar probleme në frymëmarrje dhe djegie të syve e lëkurës.
Nxënësi në fjalë njihet si një nxënës problematik. Ky është një spraj në formën e gazit lotsjellës që shkakton probleme të menjëhershme, veçanërisht në lëkurë e frymëmarrje. Dyshohet që nxënësi të ketë përdorur 4 spraj të tillë.