MENU
klinika

Hapen aplikimet

“Punë në Hënë dhe Mars”, NASA kërkon astronautë

04.03.2020 - 19:54

NASA ka hapur aplikimet për gjeneratën e ardhshme të astronautëve që do të udhëtojnë në Hënë dhe Mars.

Kushdo që dëshiron të udhëtojë përmes hapësirës ka kohë deri në fund të këtij muaji të paraqesë kërkesën pranë Agjencisë Hapësinore Amerikane. Astronautët e rinj do të duhet t’i nënshtrohen një periudhe trajnimi dhe vlerësimi dyvjeçar dhe të kalojnë një seri kërkesash fizike për të qenë pjesë e programit Artemis.

Për herë të parë në historinë e saj 61-vjeçare, NASA po kërkon gjithashtu nga astronautët e ardhshëm të kenë një diplomë master në një fushë të lidhur me hapësirën, si matematikë, fizikë, ose shkenca kompjuterike. Po ashtu, Agjencia Hapësinore po përgatitet të dërgojë gruan e parë në Hënë deri në vitin 2024. “Eksplorimi i Hënës gjatë viteve 2020 do të ndihmojë në përgatitjen e njerëzimit për të dërguar astronautët në Mars në vitet 2030”, tha NASA.

“Amerika është më afër se çdo herë tjetër në histori që nga programi Apollo për kthimin e astronautëve në Hënë,” tha administratori i NASA-s, Jim Bridenstine. “Ne do ta dërgojmë gruan e parë në Hënë deri në vitin 2024 dhe na duhen më shumë astronautë që të ndjekin programin për në Hënë dhe më pas Mars. “Ne po kërkojmë burra dhe gra të talentuar nga prejardhje të ndryshme për ta na u bashkuar në këtë epokë të re të eksplorimit hapësinor. Nëse keni ëndërruar gjithmonë të jeni një astronaut, aplikoni tani”, tha ai. NASA mësohet se do t’i paguajë astronautët e rinj nga 104,000 deri në 161,000 dollarë në vit.