MENU
klinika

Përleshje në kufi me Turqinë

Rriten tensionet në Greqi, zjarr në një kamp refugjatësh

08.03.2020 - 12:15

Një zjarr ka përfshirë një kamp të refugjatëve në Ishullin Lesbos të Greqisë, teksa tensionet janë rritur pas protestave për hapje të kufirit.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të qarta raportojnë mediat e huaja. Në ditët e fundit, shumë emigrantë janë strehuar në Lesbos pas rritjes së numrit të tyre që vijnë nga Turqia. Qindra nga ta janë munduar të arrijnë në këtë ishull që nga deklarata e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan javën e kaluar për “hapjen e dyerve” për refugjatët që të hyjnë në Evropë.

Por, të shtunën, presidenti turk urdhëroi rojën bregdetare të mos lejojë kalimin e migrantëve nëpër Detin Egje për shkak të rrezikut për jetën. Turqia javën e kaluar i hapi kufijtë drejt Evropës, duke thënë se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në për të parandaluar hyrjen e migrantëve në Evropë.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Erdoganin për shfrytëzim të migrantëve për qëllime politike dhe ka insistuar në mbylljen e kufijve. Ndërkohë, përleshjet kanë shpërthyer përsëri në kufirin tokësor midis Greqisë dhe Turqisë.

Të shtunën, policia greke përdori gaz lotsjellës ndaj turmave në vendkalimin kufitar në Kastania. Emigrantët u përgjigjën duke hedhur gurë dhe duke bërtitur “hapni portat”, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Në vitin 2016, u arrit një marrëveshje me të cilën Turqia do të ndalonte lejimin e migrantëve për të arritur në BE në këmbim të fondeve nga blloku për të ndihmuar Ankarane të menaxhojë numrin e madh të refugjatëve. Por që nga ajo kohë, tensionet midis BE dhe Turqisë janë ndezur në çështje të ndryshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një fluks tjetër refugjatësh

Erdogan: Turqia nuk mund të përballojë më