MENU
klinika

Propozimet për të zbutur gjendjen

Serie A llogarit humbjet: 770 milionë dollarë!

23.03.2020 - 14:56

Përhapja e shpejtë e koronavirus ka detyruar Italinë që të mbyll dyert me botën tjetër. Një prej sektorëve që pritet të përballet me humbje kolosale në këtë periudhë është padyshim futbolli.

Pavarësisht se aktualisht askush nuk mendon për lojën më të magjishme në planet, presidentët e klubeve italiane kanë kërkuar një takim online me krerët e lartë të Federatës për të zbutur sadopak dëmin financiar. Takim i programuar për tu zhvilluar ditën e nesërme, ku pritet që të vendoset edhe fati i sezonit aktual të futbollit në Itali.

Aktualisht, propozimi që shihet me mjaft optimizëm është rifillimi i sezonit më 2 maj dhe përfundimi i tij në 30 qershor. Sa i përket humbjeve që pritet të kapin shifrën e 770 milionë dollarëve, gjithmonë nëse 12 javët e fundit nuk zhvillohen, Federata ka një sugjerim.

Mediat italiane raportojnë se është sugjeruar lehtësim i barrës financiare për çdo ekip që dëshiron të rregullojë infrastrukturën e klubit, si dhe i është dhënë drita jeshile për të bërë partneritet tregtar me kompanitë e basteve. Çështja më e nxehtë është ajo e pagave të lojtarëve, me skuadrat që kërkojnë përgjysmim të saj, por një gjë e tillë nuk preferohet aq shumë nga futbollistët, shumica e të cilëve janë në fund të kontratës.

Një tjetër ide është që sezoni të mbyllet këtu dhe pjesa e mbetur e saj të zhvillohet e shpërndarë në dy sezonet e ardhshme, atë 2021-2022 dhe 2022-2023. Ide e çuditshme kjo, pasi do të prishte me të vërtetë garën dhe do të sillte një çrregullim të kalendarit për skuadrat italiane pjesëmarrëse në kompeticionet europiane.