MENU
klinika

Të lexosh historinë...

Shkronjat e arta shqipe

27.03.2020 - 06:42

Rruga e shkronjave shqipe ka qenë një përshkrim i një kalvari nga më të vështirat dhe me një dimension gati gati fantastiko- shkencor. Të lexosh historinë e shkronjave të arta shqipe patjetër që do përballesh me armiqtë më të egër të shkronjve shqipe që janë qarqet shoviniste greke dhe qarqet sunduese osmane.

Me profesor Xhevat Lloshin, njohës i thellë i kësaj fushe kemi bërë një rrugëtim në atë që mund të quhet persekucioni i egër i shkronjave shqipe.

Sipas profesor LLoshit qarqet shoviniste greke dhe qarqet sunduese osmane kërkonin që patjetër të fusnin duart në çështjen e alfabetit shqip sepse ishin ata që e kuptonin edhe më mirë dhe më shpejt se vetë shqiptarët se çfarë po bënin shqiptarët. Osmanët dhe grekët përfaqsonin kultura të lashta, me tradita me struktura fetare të thella përballë atyre të brishta shqiptare dhe ata e dinin fare mirë çdo të thotë një alfabet i vetëm i shqiptarëve për gjuhën shqipe. Ndaj quhen shkronjat e arta të shqiptarëve. Ata nuk kërcëlluan dhëmbët më pas Kongresit të Manastirit. Ata e kishin bërë këtë luftë të egër kundër shkronjave shqipe vazhdimisht, gjatë gjithë historisë.

Kur u bënë përpjekjet e para më 1871, përpjekje për të pasur një alfabet të shqipes, për arsye se qeveria osmane nën trysninë e jashtëzakonshme të fuqive të huaja, të cilat po shihnin se perandoria osmane po shkonte drejt fundit dhe donin të mbronin interesat e tyre, e detyruan atë të bënte disa lëshime. Atë kohë u shpall një reformë në të cilën pranohej që të kishte shkolla në gjuhët e popullsive të tjera dhe rrjedhimisht do të kishte dhe alfabete dhe libra në këto gjuhë. Në këto rrethana nuk mund të përjashtohej gjuha shqipe.

Më 11 nëntor 1871 u ngrit një komision dhe shqiptarët u mblodhën dhe janë këta njerëz: si Hasan Tahsini, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto etj që filluan punën për hartimin e një alfabeti. Por qeveria osmane që e kishte lejuar këtë gjë dhe që kishte informacion të plotë papritur kthehet në barrikadë kundër saj. Menjëherë pas miratimit ata e hodhën poshtë këtë përpjekje sepse ata menduan që do t’i detyronin shqiptarët të pranonin alfabetin Osman dhe që sa thellë shkuan këto punë mund të përmendim që në dokumentet e kohës thuhej qartë që qeveria osmane e prishi këtë gjë se ajo kërkonte që shqiptarët të ishin osmanë sepse përndryshe nuk do të shërbenin më ushtarë për perandorinë osmane. Ai që flet shqip, më pas fillon dhe të shkruajë shqip nuk ka shumë dëshirë të jetë nën sundimin e oficerëve të huaj dhe të luftojë për interesat e tyre. Ata e kuptonin më mirë se sa vetë shqiptarët se përpunimi i alfabetit shqip, lëvrimi i shqipes, i gazetave dhe revistave, hapja e shkollës e gjitha e lidhur me shkronjat shqipe do të ishte një dëm i thellë kundër sundimit Osman.

Nga ana tjetër qarqet shoviniste greke sidomos pas fitores së Pavarësisë së Greqisë në të cilën shqiptarët kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme filluan të orientohen rreth ringjalljes së perandorisë bizantine. Synimi i lashtë i tyre, i cili mori formë në Greqi në atë që është quajtur “Megalidhea”. Kur u vendos kjo ideologji shtetërore dhe fetare në pushtet në Greqi, atëherë filloi përndjekja sistematike e gjuhës shqipe. Jo se nuk kishte ekzistuar më përpara. Në njohim fare mirë të ashtuquajturin Shën Kozma, i cili jo vetëm nuk ishte shenjt por djalli vetë. Ai erdhi në Shqipëri për t’i kthyer shqiptarët në ortodoksë për t’i bërë grekë dhe u shpreh qartë: “Ju shqiptarë, vllehë, bullgarë duhet të hiqni dorë nga kultura juaj dhe të bëheni helenë të gjithë.”

Por nësoftëse këto ishin pa një platformë të një shteti të organizuar, pas 1840-ës Greqia ishte një shtet i organizuar që e mori në dorë këtë punë. Dhe shembulli më katastrofik është ky. Kur u botua në vitin 1827, Dhiata e re shqipe ka marrë pjesë në të për redaktimin Gregor Gjirokastriti, një shqiptar i cili ishte peshkop dhe më 1828 kryeopeshkop në Athinë. Botimi u bë greqisht dhe shqip. Pra më 1827 marrëdhëniet e kishës greke me gjuhën shqipe ishin një gjë krejt tjetër nga ajo që ndodhi pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë. Dhe fati më tronditës ishte se nqs më 1827-ën patriarku grek i Stambollit e pranoi marrëveshjen për të bërë këtë libër greqisht dhe shqip , këtë libër mbas vitit 1840 e kanë djegur. Ndaj ky fakt është i mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Dhe që nga ajo kohë e më pas me të gjitha mjetet dhe mënyrat ndodhi dukuria e tmerrshme e mallkimit të shkronjave shqipe. Deri këtu shkuan. Mallkoheshin në kishë të gjithë ata që përdornin shqipen. Ja çfarë ndodhte: Në kishë përgatitej një fjalim dhe pas një fjalimi kundër gjuhës shqipe përsëritej pa reshtur nga kishtarët ortodoksë Qofsh i mallkuar! Në emër të Atit e Birit të Shenjtë: Qofsh i mallkuar!

Mallkimi në kishë është një dënim shpirtëror, psikologjik shumë i rëndë dhe me pasoja të drejtëpërsëdrejta në jetën civile të njeriut. E di çdo të thotë të mallkosh një njeri. Do të thotë që kur të vdesë nuk e pranojnë të varroset në varrezat përkatëse. Nëse është një grua që mund të lindë një fëmijë nuk pranohet që të bëhet bekimi në kishë. Pra ndodhi me gjuhën shqipe ajo që ndodh në të gjitha diktaturat, Shqiptarët u diskriminuan në çdo hap të jetës së tyre. Është arritur deri aty sa nuk lejonin për të shkirshëruarit të mos u shkonin njerëzit për vizitë në shtëpi, të mos i merrnin vezët e Pashkëve, pra ndodhi fenomeni i vetëizolimit. Institucioni i mallkimit të gjuhës shqipe ishte një institucion i fuqishëm që kishte mbrapa autoritetin e një institucioni të madh siç ishte kisha.