MENU
klinika

Shifrat, formacionet dhe historiku

Sonte “El Clasico”, gjithçka për Real-Barça

01.03.2020 - 14:24

E diela e 1 marsit do të mbyllet me superndeshjen botërore Real Madrid-Barcelona, që do të luhet në orën 21:00, në “Santiago Bernabeu”. E gjithë bota do t’i ketë sytë në “El Clasico”, sepse do të luhet një nga ndeshjet më të forta të globit.

Dy skuadrat sfidojnë njëra-tjetrën në një ndeshje, që pritet të jetë shumë vendimtare në garën për të fituar titullin kampion. Barcelona vjen si kryesuese, ndërsa Realit i duhet të kompensojë gabimet e bëra në javët e fundit, që i kushtuan edhe vendin e parë të renditjes.

Barcelona dalëngadalë ka arritur të marrë nga idetë e trajnerit të ri, Setien dhe në çdo ndeshje po shohim një version më të përmirësuar të katalanasve. Megjithatë, mungesat në sulm e kanë kushtëzuar shumë ofensivën e ekipit blaugrana.

Messit tashmë i mbetet të marrë shumë më shumë përgjegjësi, pas dëmtimeve të Suarez dhe Dembele. Katalanasit pritet të vijnë me formacionin 4-4-2 sonte. Në mbrojtje mungojnë Alba dhe Roberto nga krahët dhe do të zëvendësohen nga Firpo dhe Semedo.

Mesfusha do të jetë me katër. Busqets, De Jong dhe Arthur do të jenë pas Vidal, i cili do të mbështesë dyshen e sulmit dhe do të ndihmojë në të dy fazat e lojës, me Setien që e udhëzon të luajë edhe 9 fals në disa raste. Në sulm janë dyshja Griezmann-Messi.

Edhe Real vjen me disa mungesa në këtë ndeshje dhe me formacionin 4-4-2. Mbrojtja nuk ka surpriza, me Mendy, që ka fituar prej javësh duelin me Marcelon në krahun e majtë. Reparti difensiv pritet të plotësohet nga Varane, Ramos dhe Carvahal.

Edhe mesfusha e “Los Blancos” do të jetë me katër, me Iscon, që mund të zhvendoset edhe në krahët e sulmit herë pas here. Kroos, Casemiro dhe Valverde plotësojnë këtë repart. Sulmi përbëhet nga Benzema dhe Balë. Mungojnë Hazard dhe Rodrigo, pa përmendur Asension, i cili nuk dihet ende nëse do të luajë ndonjë ndeshje këtë sezon.

Leo Messi është “mbreti” i klasikes Real Madrid-Barcelona. Ai shkon në përballjen e së dielës mbrëma, në “Santiago Bernabeu”, tejet i karikuar, pasi shënoi 4 gola në sfidën e fundit të La Liga-s, kundër Eibarit. Ylli argjentinas kryeson listën e shënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll me 18 gola, pesë të tillë më shumë se “bomber” i të bardhëve, Karim Benzema.

Nga fitorja e parë e këtij segmenti kohor, 6-2, me Guardiolën trajner, tek ajo 3-0, e fundit e thellë, në Kupën e Mbretit, me Valverde në stol, Barcelona del se është zot në “Bernabeu”. Messi ka shënuar 26 gola në “El Clasico”, më shumë se cdokush tjetër, në 42 ndeshje të luajtura.

Ramos ka luajtur 43 sfida të tilla dhe kryeson në historinë e “El Clasico”, ndërsa Messi 42 herë. Duket se këta të dy kanë bërë historinë në këtë drejtim. Në total janë luajtur 276 ndeshje “El Clasico”, ku Barcelona ka fituar 115 herë dhe Real Madrid 99, ndërsa 62 ndeshje janë ndarë në barazim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN