MENU
klinika

Visar Zhiti: Je dashuria e Zotit

Sot trupi yt, Itali, më duket si trupi i Krishtit në kryq…

23.03.2020 - 10:51

      E bukura Itali, e dashura Itali!

Ti, kënga e botës dhe goja e botës. Ti, kitara e botës dhe zemra e botës!

Të dua shumë! Ndjej dhimbje dhe vuaj me Ty.

Më lër të flas si i dehur për Ty, plot me Ty… edhe pse jam larg.

Shoh hartën Tënde në lajmet televizive, duket si çizmja elegante e një balerine…

Vallëzimi yt, me krahët e engjëjve dhe dëshirat e fëmijëve…

Ndërsa sot trupi yt, Itali, më duket si trupi i Krishtit në kryq, i anuar fort nga dhëmbja…

Itali, ti do të ngrihesh përsëri, do të bëhesh më e bukur.

Italia jemi ne, e gjithë bota…

Nëse shikojmë horizontin nga perëndimi i diellit, pas Italisë fillon Krienti. Dhe nëse shikojmë horizontin nga fillon lindja e diellit, alba, nga Shqipëria ime për shembull, që ju i thoni Alba-nia,- me Italinë nis Oksidenti.”In medio stat virtus”, thoshin latinët, “në mes është virtyti”…

Pa Italinë nuk ka Evropë, nuk ka Amerikë, nuk ka botë, nuk ka kulturë njerëzimi.

Me Danten rizbuluam Parajsën e dashurisë, me Danten kemi njohur Ferrin e mëkateve.

Italia na ka dhuruar shpikje superbe me Leonardo Da Vinçin bashkë me misterin e buzëqeshjes së Mona Lizës. Italia na ka dhënë qiellin Mikelanxhelojan, mëshirën hyjnore, pavdekësinë e njeriut.

Italia shpiku guximin, dashurinë, dialogun mes njerëzve, midis popujve, midis së kaluarës dhe të ardhmes…. na dha radio që na bashkon…

Italia, zemra e botës, ne jemi me Ty, siç ke qenë Ti gjithmonë me ne, me botën. Je qytetërimi antik, je Rilindja e re, je poezi, je dashuria e Zotit, kënga më e bukur në botë! Je dhimbja jonë, je shpresa jonë! Unë nuk mund të të shoh të mbyllur, nuk mund të të shoh të trishtë. Hape dritaren, fute diellin në sytë e Tu dhe na shiko në sy. Njeriu shpëtohet me ty. Kurajo! Durim. Solidaritet. Korajo.

Në zemër të Romës, të Italisë, është Selia e Shenjtë. Le të lutemi së bashku me Papa Françeskun. Zoti do të na dëgjojë… Ne jemi dashuria e Tij. Po lutem edhe me zërin e nënës time Shën Terezës së Kalkutës, të djalit tim që ishte student në Universitetin Katolik të “Zemra e Shenjtë” në Milano, me ëndrrën e tij…

Italia është dashuria e Zotit dhe dashuria jonë.

Italia është çdo italian, jemi të gjithë, ne jemi Italia dhe Italia është bota.

Harta e Italisë tani i ngjan një krahu që zgjatet për të mbrojtur jetën.

Hape dorën tënde, Itali, hidh yje mbi tokë si farat e grurit dhe mbill shpresë…

Shkrimi është botuar dje në revistën katolike italiane në Romë, “Frammenti di pace”./Konica.al

 

Visar Zhiti

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sekretari i Përgjithshëm i OKB

“Koha për t’u përgatitur jo për panik”

Silva Bino mesazh të rëndësishëm qytetarëve

“Ja elementi kryesor për të luftuar COVID-19!”

Letra nga karantina, e avokates italiane me origjinë shqiptare

“Mos bëni gabimin që bëra unë!”