MENU
klinika

Ngjarja në basketbollin e meshkujve

Teuta humb ndeshjen në tavolinë dhe 5 mln lekë gjobë

11.03.2020 - 13:14

Teuta në basketboll për meshkuj ka humbur ndeshjen në tavolinë 20-0 dhe është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra. Ky është vendimi që mori Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit për ngjarjet në ndeshjen Goga Basket-Teuta, që nuk u zhvillua më 7 mars në kampionatin kombëtar.

E gjitha kjo pasi klubi organizator Goga Basket nuk ka lejuar presidentin e Teutës, Arqile Gorea, në ambientet ku qëndron skuadra. Gorea më pas tërhoqi ekipin dhe organizimi i ndeshjes dështoi. Pas kësaj përplasje, presidenti i Teutës është larguar me ekipin e tij dhe ka lënë pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Edhe skuadra e Goga Basket është gjobitur, por me 500 mijë lekë të vjetra, pasi nuk lejoi presidentin e ekipit kundërshtar të hynte në dhomat e zhveshjes. Këto u morën nga Disiplina në mungesë të një përcaktimi në Rregulloren e FSHB-së, por në bindjen e brendshme të komisionit.

Goga Basket dhe Teuta janë dy skuadra pretendente për titullin kampion në Shqipëri, një rivalitet që është ndezur vetëm 2 vitet e fundit. Ky derbi i ka dhënë tonin basketbollit shqiptar të meshkujve kohët e fundit, por ngjarja e fundit prishi bukurinë sportive.